Çmimi i vajit ushqimor, 09.03.2022/ Foto: KALLXO.com

Inspektorati i Tregut vazhdon masat ndëshkuese për mashtrim me çmime

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregut (MINT), ka njoftuar se Inspektorati i Tregut gjatë ditës së sotme ka hasur në parregullsi sa i përket mospërputhjes së çmimeve dhe në disa produkte ka munguar deklaracioni në gjuhën shqipe.

Për këto raste, ministria thotë se janë marrë masa ndëshkuese  në pajtim me ligjet në fuqi.

“Gjatë inspektimeve të ditës së shtunë, Inspektorët e Tregut kanë hasur  në parregullsi sa i përkët mospërputhjes së çmimeve raft –arkë, mashtrimit lidhur me zbritjet e reklamuara dhe në disa produkte ka munguar deklaracioni në gjuhën shqipe, prandaj në secilin rast janë marrë masa ndëshkuese në pajtim me ligjet në fuqi”, njofton MINT.

Sipas njoftimit, inspektimet kanë vazhduar edhe gjatë ditëve të fundjavës dhe se qëllimi vazhdon të jetë verifikimi i çmimeve të produkteve bazike.

“MINT përmes Inspektoratit të Tregut ka vazhduar inspektimet edhe gjatë ditëve të fundjavës. Qëllimi i inspektimeve në këtë periudhë vazhdon të jetë verifikimi i çmimeve të produkteve bazike për shportën e konsumatorëve”, thuhet tutje në njoftim.