Inspektorati i Tregut: Një lloj i vajit ushqimor të prodhuar në Serbi nuk i plotëson kriteret

Inspektorati i Tregut i Kosovës ka bërë të ditur se se një lloj vaji ushqimor i prodhuar në Serbi nuk i plotëson kriteret, duke njoftuar se ndalohet shitja e këtij produkti.

Inspektorati ka kërkuar tërheqjen e produktit nga tregu në afat prej 15 ditësh.

“Raporti i verifikimit nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, gjegjësisht laboratori i parapaketimeve ka konstatuar se një vaj ushqimor, i prodhuar në Serbi, nuk e plotëson kriterin e mesatares për sasi siç e parasheh rregullorja 03/2020 për produktet e parapaketuara”-thuhet në njoftimin e Inspektoratit.

Inspektorati ka ndaluar shitjen e këtij vaji ndërsa, importuesit i është kërkuar largimi i vajit nga tregu.

“Si rrjedhojë Inspektorati i Tregut, si në çdo rast tjetër ka ndërmarrë masa në përputhje me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës, respektivisht operatorit ekonomik, importues i këtij vaji , i është ndaluar shitja e këtij produkti dhe tërheqja nga tregu në afat prej 15 ditësh”-thuhet në njoftimin e Inspektoratit.

Inspektorati u fton konsumatorët që të lajmërojnë çdo parregullsi që mund të hasin gjatë blerjeve në subjektet tregtare.