FOTO: MINT

Inspektorati i Tregut largon nga tregu arin dhe argjendin që shitej ilegalisht (FOTO)

Inspektorati i Tregut në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se përgjatë këtij muaji ka larguar nga tregu materiale të çmuara që janë shitur kundërligjshëm.

Për këtë, kjo ministri ka dhënë edhe arsyet.

“Operatorët Ekonomik para vendosjes në treg të punimeve nga metalet e çmuara, kanë për obligim që punimet të kontrollojnë dhe të shënojnë me shenjën e harmonizimit (e cila vërteton saktësinë e pastërtisë së punimit nga metali i çmuar). Shenja e harmonizmit vendoset në Laboratorin e Punimeve nga Metalet e Çmuara në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës/MINT”, thuhet në njoftim.

Këto aksione, sipas MINT do të vazhdojnë edhe në të ardhmen derisa të sigurohen që të gjithë Operatorët Ekonomik të cilët merren me tregtimin e Punimeve nga Metalet e Çmuara, janë duke respektuar dispozitat ligjore në fuqi.

Në fund, ministria njoftoi se ndaj bizneseve ka iniciuar raste pranë organeve të hetuesisë.

“Inspektorati i Tregut, ka iniciuar kërkesat për fillimin e procedurës kundërvajtëse pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, për Operatorët Ekonomik dhe pritet që këto lëndë të trajtohet konform dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në fund të njoftimit.