Inspektorati i Tregut kontrollon bizneset që shesin pajisje për ngrohje nëse i kanë rritur çmimet

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) përmes Inspektoratit të Tregut dhe në bashkëpunim me inspektorët e tregut komunal, sot kanë inspektuar disa operatorë ekonomik me qëllim të verifikimit nëse ka pasur manipulime dhe ngritje të çmimeve të pajisjeve, të cilat do të subvencionohen nga Qeveria Kosovës.

MINT përmes një njoftimi bëri të ditur se inspektimet u kryen për të parë nëse ka rritje të pajustifikueshme të çmimeve të pajisjeve si: pompa termike, inverter, kalldaja, stufa etj.

“Inspektorët e tregut kanë arritur të sigurojnë çmimet aktuale dhe i kanë detyruar operatorët ekonomik që të prezantojnë dokumentacionin e nevojshëm me ç’rast do të vërtetohet nëse ka ngritje të pajustifikueshme të çmimeve të pajisjeve në veçanti pompave termike, inverter, kalldaja, stufa etj”- thuhet në njoftim.

Tutje, nga kjo ministri potencohet se, janë njoftuar bizneset se nëse konstatohet rritje e çmimeve të pa arsyeshme, do merren masa.

“Inspektorët e tregut kanë njoftuar bizneset që do të inspektohen dhe do të ndërmerren masa në çdo rast kur konstatohet që ka ngritje të çmimeve të pa arsyeshme e sidomos tani kur rritet kërkesa për produktet e lartcekura, për shkak të thirrjes për subvencionim nga Ministria e Ekonomisë/ Qeveria e Republikës së Kosovës- potencon MINT.

Numri më i madh i inspektimeve janë realizuar në Komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës, Gjakovës, Mitrovicës dhe disa komuna më të vogla si Hani i Elezit, Dragash, Kaçanik etj.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 6 milionë euro për t’i subvencionuar qytetarët për të blerë pajisje për ngrohje, që do të kursente shpenzimin e energjisë elektrike, duke planifikuar kështu kursimin e rreth 12 milionë eurove.

Hapat për të aplikuar për t’u subvencionuar për efiçiencë të energjisë