Inspektorati i Punës vendos kundër ankesës së ish-kryeshefit të KRU 'Hidroregjioni Jugor'

Inspektorati i Punës me anë të një vendimi e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e ish-kryeshefit ekzekutiv Besim Baraliut e ushtruar kundër vendimit të Bordit të Përkohshëm të Drejtrëve të KRU “Hidroregjioni Jugor” në Prizren për shkak të ndërprerjes së kontratës së punës si kryeshef ekzekutiv.

Inspektorati i Punës sipas vendimit dhe pas shikimit të gjithë dokumentacionit përkatës, sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com ka thënë se nuk ka gjetur shkelje të proceurave të zhvilluara nga KRU “Hidroregjioni Jugor” Sh. A. në lidhje me vendimin për shkarkimin e Baraliut.

Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Hidroregjioni Jugor”, Besim Baraliu është shkarkuar nga pozita e tij e kryeshefit ekzekutiv nga ana e bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrjeje në fund të muajit prill të këtij viti.

Sipas kryesuesit të bordit, Ylber Elshani, Baraliu është shkarkuar pasi në raportet e Auditorit në tri vitet e fundit janë gjetur shumë shkelje në menaxhimin e ndërmarrjes.

Përveç kësaj, Elshani kishte thënë për KALLXO.com se për Baraliun ka pasur edhe shumë arsye të tjera që e kanë shtyrë bordin të marrë këtë vendim.

Më poshtë mund të lexoni vendimin e plotë të Inspektoratit të Punës:

 

 


Në një analizë të gjatë, KALLXO.com kishte raportuar se si Ujësjellësi i Prizrenit “Hidroregjioni Jugor” ishte dëmtuar rreth 1.8 milion euro për shkak të mos-zbatimit të marrëveshjes për pagesën e borxhit ndaj KEK-ut.

Në një raport të hartuar nga Bordi i përkohshëm i kësaj ndërmarrje për gjendjen financiare është përshkruar edhe dëmi i shkaktuar nga mos-shlyerja e borxheve ndaj KEK-ut.

Bordi ka gjetur se obligimet e Kompanisë ndaj KEK-ut të papaguara kanë qenë 1,489,775.00 euro, ku sipas marrëveshjes nga ligji për faljen e borxheve publike kompanisë i janë falur 1,188,868.00 euro ndërsa pjesa e mbetur për pagesë ka mbetur vlera 300,907.00 euro.

Nga mos zbatimi i kësaj marrëveshje kompania është paditur në gjykatë dhe nga vendimi i gjykatës për mos respektimin e marrëveshjes kompanisë i është kthyer borxhi i vjetër dhe është llogaritur kamatë ndëshkuese 317,709.00 euro dhe obligimet e përmbaruesit në vlerë 27,650.00 euro.

Sipas një dokumenti të bordit të siguruar nga KALLXO.com janë shtatë shkelje që e kanë vështirësuar gjendjen financiare të ndërmarrjes. Në raport thuhet që ndërmarrja ka borxh ndaj palëve të tretë në vlerë prej 3.3 milionë eurosh.

Tutje Bordi ka gjetur se moszbatimi i duhur i ligjeve tatimore nga ndërmarrja ka rezultuar ndëshkim tatimor nga Administrata Tatimore e Kosovës në vlerë prej 291,275.00 euro, vlerë të cilës i janë shtuar interesat dhe ndëshkimet shtesë dhe totali i këtij ndëshkimi është në vlerë 502,221.00 euro me vendimin e ATK nr. 332/2019 i datës 28 gusht 2019.

Bordi ka gjetur se ndërmarrja ka blerë dy makina me kredi bankare duke iu shmangur Planit të Biznesit dhe duke e marr kredinë pa miratimin e Bordit të Drejtorëve. Ndërmarrja ka marrë kredi në vlerë prej 45,000.00 euro dhe garantues për këtë kredi është një nga Zyrtarët e Ndërmarrjes.

Shkarkohet kryeshefi i “Hidroregjionit Jugor”

Shkarkohet kryeshefi i “Hidroregjionit Jugor”