Inspektorati i Punës: RTK zgjodhi drejtorin e shërbimeve të përbashkëta pa i përmbushur kriterët

Inspektorati i Punës ka vendosur në favor të Sindikatës së Radio Televizionit të Kosovës (RTK) lidhur me pretendimet e këtyre të fundit për “jashtëligjshmërinë” gjatë procedurave për zgjedhjen e drejtorit të Shërbimeve të Përbashkëta në RTK.

Bordi i RTK-së kishte vendosur në dhjetor të vitit 2020 që për pozitën Udhëheqës i Shërbimeve të Përbashkëta të zgjedhet Driton Morina.

Në raportin e Inspektoratit të Punës që KALLXO.com ka siguruar, inspektorja e punës ka vlerësuar se asnjëri nga kandidatët për këtë pozitë, përfshirë këtu edhe Driton Morinën nuk i kishin plotësuar kriteret e konkursit, respektivisht atë për kualifikim dhe përvojën e punës.

“Inspektorja e punës duke shqyrtuar dhe analizuar procedurën e konkursit, marrë për bazë edhe ankesën e Sindikatës së Pavarur të RTK-së, duke u bazuar në dokumentacionin e prezantuar, konkretisht në dosjet e kandidatëve pjesëmarrës në konkurs, vlerëson se asnjëri nga kandidatët nuk ka plotësuar kriterin e konkursit, në kuptim të kualifikimit të kërkuar sipas konkursit në fjalë”, thuhet në raportin e Inspektoratit të Punës.

Tutje raporti thotë se asnjëri kandidatë nuk e përmbush kriterin “Kualifikimi superior profesional në drejtim Juridik dhe Menaxhim Biznesi”.

Si rrjedhojë, raporti citon se përzgjedhja e kandidatit të suksesshëm sipas këtij konkursi është bërë në kundërshtim me kriterin e konkursit të vënë nga vetë punëdhënësi.

Tjetër shkelje gjatë përzgjedhjes së Driton Morinës, inspektorja e punës e ka hasur edhe tek përvoja e punës.

“Po ashtu duke u bazuar në shkresën “Kërkesë për nismë të rekrutimit” në të cilën është e bashkangjitur përshkrim i vendit të punës udhëheqës i shërbimeve të përbashkëta është përcaktuar që kandidati duhet të ketë 5 vite përvojë pune në menaxhimin e mediave apo fushave të tjera relevante. Duke u bazuar në dosjen e kandidatit të pranuar është konstatuar se i njëjti nuk e ka plotësuar këtë kriter të konkursit”, thuhet tutje në raportin që KALLXO.com e ka siguruar.

Sindikata e RTK-së në krye me Fadil Hoxhën kishte bërë ankesë më 15 dhjetor 2020 pranë Inspektoratit të Punës për konkursin e shpallur nga RTK-së për pozitën Udhëheqës i Shërbimeve të Përbashkëta në RTK. Sindikata kishte pretenduar se kandidatët të cilët i janë nënshtruar procedurave të rekrutimit nuk i kanë plotësuar dy kriteret kryesore të konkursit – kualifikimin dhe përvojën e punës.

Pas këtij vendimi të Inspektorati të Punës, KALLXO.com ka kontaktuar me kryesindikalistin e RTK-së, Fadil Hoxha.

Hoxha ka thënë se Kuvendi i Kosovës urgjentisht duhet t’i nis procedurat për shkarkimin e Bordit.

“Këtë konkurs, në cilësinë e kryetarit te Sindikatës e kam monitoruar personalisht. Është vendim i drejtë edhe pse me vonesë. Me këtë vendim Inspektorati i Punës e konfirmoi ankesën e Sindikatës se zgjedhja e drejtorit të financave dhe administratës ka qenë e paligjshme. U vërtetua ajo që e ka thënë me kohë Sindikata se asnjeri nga aplikuesit nuk e kishte kualifikimin dhe përvojën e kërkuar. Në këtë paligjshmëri është i përfshirë direkt drejtori gjeneral i RTK-së dhe Bordi i saj, andaj ky është vetëm një argument më shumë që Kuvendi i Kosovës urgjentisht duhet t’i nis procedurat për shkarkimin e Bordit”, ka thënë Hoxha për KALLXO.com.

Ndërkaq KALLXO.com ka provuar që të marr komente edhe nga ana e Driton Morinës. I njëjti është përgjigjur përmes email-it zyrtar të RTK-së duke thënë se pas vendimit të Inspektoratit kanë ushtruar vërejtje me shkrim dhe se janë në pritje të një vendimi tjetër të këtij institucioni.

“Me datën 20.05.2021, ne RTK kemi pranuar Raportin Zyrtar me Nr. 01/06-03/21 nga Inspektorati i Punës, ndaj të cilit në afatin kohor, me datën 24.05.2021 kemi ushtruar Vërejtje me shkrim se bashku me provat e bashkëngjitura. Nga se u cek më lartë, në bazë të rrethanave të tanishme të rastit, edhe ne jemi në pritje të Vendimit të Inspektoratit te Punës”, thuhet në përgjigje.

KALLXO.com ka transmetuar edhe emision lidhur me gjendjen në RTK që mes tjerash ishte diskutuar edhe konkursi i kontestuar nga ana e Sindikatës së Televizionit Publik.