Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Inspektorati i Punës jep detaje për vdekjen e një personi në Grabanicë të Klinës

Inspektorati i punës ka dhënë detaje në lidhje me vdekjen e një burri në fshatin Grabanicë të Klinës.

Lidhur me këtë, Inspektorati i Punës ka njoftuar se Policia e Kosovës, njësia në Klinë, nuk e kanë lajmëruar për rastin Inspektoratin e regjionit në Pejë sepse vdekja e punëtorit nuk ka ardhur si rezultat i ushtrimit të veprimtarisë së punës në vendin e tij të punës.

“Më datë 27.03.2023 rreth orës 17 në fshatin Grabanicë-Klinë ka vdekur punëtori H.B. nga fshati Gjurgjevik i Madh i komunës së Klinës. I ndjeri ishte punëtor i një subjekti privat me seli ne Pejë. Sipas Informatave të Policisë së Kosovës njësia në Klinë, i njëjti ka shkuar atje (Grabanicë) për të biseduar me një investitor të mundshëm dhe për t’i caktuar pikat për ndërtim të një shtëpie në këtë fshat” –  ka thënë Inspektorati i Punës për KALLXO.com.

Sipas informacioneve që ka siguruar Inspektorati i Punës, i ndjeri në momentin kritik ka qenë duke biseduar dhe duke pirë një pije.

“I ndjeri në momentin kritik sipas informacionit ka qenë duke biseduar dhe duke pirë nga një pije. Nuk kemi informata me kënd dhe pa pritmas  i humb ndenjat. Më pas është konstatuar vdekja e tij. Policia e Kosovës njësia në Klinë nuk e kanë lajmëruar për rastin Inspektoratin e regjionit në Pejë sepse vdekja e punëtorit nuk ka rezultuar si rezultat i ushtrimit të veprimtarisë së punës në vendin e tij të punës”- thuhet në përgjigjen e Inspektoratit.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com ka kontaktuar edhe Prokurorinë e Pejës.

“Me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pa jetë është dërguar për obduksion, ndërkaq pasi të pranojmë raportin do të mësojmë më shumë rreth shkaqeve të vdekjes së të ndjerit” – ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.