Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Inspektorati i Punës e dënoi rreth 4900 euro RTK-në për vendimin e shkarkimit të drejtorit të marketingut

Inspektorati i Punës ka dënuar me gjobë prej 4 mijë e 900 euro Radiotelevizionin e Kosovës në lidhje me vendimin për shkarkimin dhe sistemimin e drejtorit të marketingut vitin e kaluar.

Sipas vendimit të shkallës së parë të marrë në janar nga Inspektorati i Punës, RTK ka shkelur Ligjin e Punës, Rregulloren për sistematizimin e vendeve të punës dhe Rregulloren për përgjegjësi materiale dhe disiplinore të RTK-së me shkarkimin nga pozita e drejtorit të marketing dhe sistemin e tij si Zyrtar i Arkivit në Arkivin e Administratës.

Por, ndaj këtij vendimi është ankuar në shkallën e dytë Radiotelevizioni i Kosovës, andaj në një përgjigje për KALLXO.com Inspektorati i Punës ka thënë se vendimi nuk është përfundimtar ende.

Por çka thotë vendimi i shkallës së parë?

Sipas këtij vendimi RTK është dënuar me 4900 euro sepse mes tjerash ka shkelur paragrafin 2 të nenit 17 të Ligjit të punës i cili thotë se “në rast të nevojës për ristrukturim apo organizim të ri të punës, i punësuari në pajtim me Kontratën e Punës mund të sistemohet në vend tjetër të punës që i përgjigjet përgatitjes profesionale, aftësisë së tij dhe nivelit të njëjtë të pagës, në pajtim me Kontratën e Punës”.

Arjan Sahiti ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të marketingut në RTK në mars të vitit të kaluar dhe ishte sistemuar si zyrtar i arkivit në arkivin e administratës.

RTK në vendimin për Sahiti sipas vendimit Inspektoratit të Punës ka shkelur edhe nenin 86 që ka të bëjë me shqiptimin e masave ndëshkuese.

Vendimi i Inspektoratit te Punes
Vendimi i Inspektoratit të Punës