
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Inspektorati i Punës: Dita e sotme duhet të paguhet sipas Ligjit
Inspektorati Qendror i Punës, në urimin e përvjetorit të Pavarësisë, ua ka rikujtuar të gjithë punëdhënësve dhe punëmarrësve të cilët punojnë sot, më 17.02.2025, që kjo ditë duhet të paguhet sipas Ligjit të Punës.
Në reagim thuhet se si Inspektorat Qendror i Punës, vazhdojnë të punojnë për të siguruar të drejtat e punëtorëve dhe një mjedis pune të sigurt për të gjithë.
Sot, më 17.02. 2025, shënohet 17-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Sipas Ligjit, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, është festë zyrtare në Republikën e Kosovës.
Sipas Ligjit, për punën më të gjatë se orari i plotë i punës, si dhe për punë në ditët e festave shtetërore dhe për punën e natës, i punësuari ka të drejtë në pagë shtesë, në pajtim me këtë ligj, Kontratën Kolektive dhe Kontratën e Punës
Të punësuarit i takon paga shtesë në përqindje të pagës bazë: 20 % në orë për kujdestari, 30 % në orë për punë gjatë natës; 30 % në orë për punë jashtë orarit; 50 % në orë për punë gjatë ditëve të festave; dhe 50 % përqind në orë për punë gjatë fundjavës.