Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Inspektorati i Punës dënon me nga 2 mijë euro Bordin e ShSKUK-së - DOKUMENT

Gjashtë anëtarët e Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës janë dënuar me nga 2 mijë euro gjobë.

Këtë vendim e mori Inspektorati i Punës më datë 25 mars 2021 pasi një vendim paraprak të këtij institucioni nuk e respektoi ky bord.

Fjala ishte për një vendim që Bordi i ShSKUK-së kishte nxjerr në korrik të vitit të kaluar, ku e kishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të ShSKUK-së, Basri Sejdiun.

Por, ndaj këtij vendimi ishte ankuar Sejdiu në shkallën e parë të Inspektoratit të Punës më datë 21 korrik 2020. Bordi i ShSKUK-së e kishte apeluar ankesën e ish-drejtorit Basri Sejdiu në shkallën e dytë të inspektoratit.

E pas shqyrtimit, shkalla e dytë e inspektoratit e vlerësoi si të bazuar ankesën e Basri Sejdiut, i cili e vlerësoi si të kundërligjshme shkarkimin nga pozita e drejtorit të ShSKUk-së.

Kështu, me nga 2 mijë euro u dënuan Xhevat Jakupi, kryesues i bordit, Aida Rexhepi, Diana Dafota, Sadete Hadri, Agreta Gecaj- Gashi dhe Enver Gashi, anëtarë të Bordit të ShSKUK-së.

Sipas vendimit të cilin e ka siguruar KALLXO.com, anëtarët e Bordit janë të obliguar që ta paguajnë gjobën në një afat prej tetë ditëve.

“Vendimi i Bordit të ShSKUK-së Nr.1466/20 datë 06.07.2020, është në kundërshtim me dispozitat nenit 70, paragrafi 1.5, 1.6, 1, 1.6.2, paragrafi 2, paragrafi 3, neni 71, paragrafi 2, të Ligjit nr.03/L-212 të Punës, nenit 64, paragrafi 9 i ligjit për Shëndetësi, neni 4 paragrafi 21, paragrafi 1 dhe neni 52, paragrafi1 pika 2 të ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative”, thuhet në arsyetimin e vendimit të shakallës së dytë të Inspektoratit të punës.