Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Inspektorati i Punës anulon konkursin në “Stacionin e Autobusëve” në Ferizaj dhe e gjobit me 500 euro

Konkursi për pozitën “Asistent/e të Zyrtarit të Lartë Financiar” në Ndërmarrjen Publike “Stacioni i Autobusëve” në Ferizaj është anuluar dhe është rishpallur përsëri. Konkursi është anulur pas vendimit të Inspektoratit të Punës.

Sipas vendimit të Inspektoratit të Punës, periudha për aplikim është dashur të jetë 15 ditë e jo 8 ditë siç ka qenë në konkursin për këtë pozitë, të shpallur më 13 korrik.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Albulena Çalaj, drejtoreshë në “Stacionin e Autobusëve” në Ferizaj, e cila ka treguar se kësaj ndërmarrje përveç që i është kërkuar që ta rishpallë konkursin, është gjobitur me 500 euro. 

“Inspektorati na ka detyruar ta mbyllim konkursin, dhe pas 8 ditësh ta rishpallim, ku kemi bërë ashtu. Dhe jemi dënuar me një gjobë prej 500 euro, për këtë parregullsi të afatit”, ka thënë ajo.

Më 13 korrik, përveç konkursit për “Asistent/e të Zyrtarit të Lartë Financiar” ishte shpallur edhe konkursi për “Spiker/e”. Në këto dy konkurse kishte aplikuar edhe kandidatja Merita Krosa. Konkursi për “Spiker/e” ishte anuluar për shkak se nuk kishin aplikuar kandidatë të mjaftueshëm. Ky konkurs ishte rishpallur 10 gusht.

Në pozitën “Asistent/e të Zyrtarit të Lartë Financiar” ajo ishte radhitur e dyta me 139 pikë.  Krosa është ankuar në lidhje me renditjen duke thënë se ka pasur parregullsi dhe se kandidatja e cila e ka fituar vendin e punës nuk është vlerësuar në mënyrë të drejtë.

“Arsye kryesore që unë nuk jam pranuar në këtë konkurs është kurdisja e konkursit për kandidatë të cilët janë paracaktuar për pozitën në fjalë. Është e pabesueshme se si edhe për një punë të thjesht në sektorin publik, infiltrohen edhe zyrtarët me ndikimin më të madh në komunë ose përtej saj”, ka thënë Krosa për KALLXO.com.

Në pozitën “Asistent/e të Zyrtarit të Lartë Financiar” ishte pranuar Emine Hasani, e cila ishte vlerësuar me 162 pikë.

KALLXO.com ka kontaktuar me kandidaten Emine Hasani, e cila ka thënë se pikët të cilat i ka marrë ajo janë të merituara. Madje Hasani e ka pranuar se është simpatizante e Partisë Demokratike të Kosovës, nga e cila udhëhiqet Komuna e Ferizajt por që partia nuk ka ndikuar në pranimin si “Asistent/e të Zyrtarit të Lartë Financiar”.

“Kundërshtari mundet me thanë gjithçka, por unë kam qenë ajo që kam marrë më së shumti pikë. Kam përvojë pune dhe e kam përfunduar fakultetin. Edhe unë jam simpatizante e PDK-së prej fillimit. Para 10 viteve kam diplomu, partia nuk ka ndiku diçka. Pse nuk ka reagu partia në 2010 kur unë kam diplomu, po tash, kjo nuk qëndron”, ka thënë ajo.

Krosa është ankuar në vlerësimin e komisionit që ajo është renditur e dyta. Por ankesa se saj është kthyer e pabazuar. 

Sipas saj, shkollimi ka ndikuar që ajo të mos marrë pikët e merituara. Krosa ka thënë që kriter në konkurs ka qenë që kandidatët të kenë diplomën e shkollës së masme ndërsa ajo e ka shkollimin në nivelin master.

“Pra, aplikimi im ka qenë befasi në këtë konkurs, duke qenë se shkollimi im (master), sikurse edhe përgjigjet e mia në dy format e testimit, që kanë qenë pa gabime, e kanë bërë të vështirë manipulimin e tij. Në dy format e testimit, nga komisionarët vlerësues, në formë vullnetare dhe pa asnjë ndikim, më është thënë se kam qenë më e suksesshmja në përgjigjet e dhëna”, ka shtuar ajo.

Edhe drejtoresha e ndërmarrjes lokale “Stacioni i Autobusëve” e ka konfirmuar për KALLXO.com se kriter në konkurs ka qenë shkollimi i mesëm dhe jo me nivele të tjera të shkollimit.

“Kandidatët nuk po i përcjellin kriteret. Këto konkurse kanë qene me kriter të shkollimit – Shkollë e mesme, e din besoj që me mbikriter të aplikohet ngarkohem unë për gradim të tyre. E që kapaciteti i ndërmarrjes nuk ka mundësi të përballoj për momentin”, ka thënë Çalaj.

Konkursi “Asistent/e të Zyrtarit të Lartë Financiar” është rishpallur më 1 tetor.