Inspektorati i Arsimit: Veçimi i nxënësve në Festën e Abetares në Pejë, diskriminues e i papranueshëm

Inspektorati i Arsimit ka konstatuar se veçimi i 10 nxënësve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Festën e Abetares, që u organizua më 17 maj për nxënësit e shkollës fillore “Xhemajl Kada” në Pejë, është diskriminues dhe i papranueshëm.

Po ashtu, është rekomanduar edhe fillimi i një procedure disiplinore ndaj mësueses së këtyre 10 nxënësve, për veprime të pamenduara dhe diskriminuese.

“Vendosja e nxënësve të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në një vend të veçuar nga pjesëmarrësit tjerë në festën e abetares mbajtur me datën 17.05.2022 është diskriminuese dhe e papranueshme për të gjithë pa dallim”, thuhet në raportin e Inspektoratit të Arsimit, i cili është hartuar më 23 maj.

KALLXO.com, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, ka siguruar raportin e Inspektoratit të Arsimit në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Më tej në këtë raport shkuarja në palestrën “Karagaqi” në Pejë e mësimdhënëses me një pjesë të nxënësve të saj gjatë Festës së Abetares “është një gjë shumë e mirë që do të ndikonte pozitivisht të nxënësit e komuniteteve dhe do të zhvillonte te ata nxënës ndjenjen e barazisë dhe shoqërimit me të gjitha komunitetet pjesëmarrëse”.

“Kjo situatë është prishë skajshmërisht me ato pamje në palestër të cilat janë bërë publike edhe në mediumet televizive ku nxënësit e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian shiheshin të veçuar nga të tjerët. Mësuesja e tyre duke zgjedhë për të shkuar në atë vend ka bërë gabim (ndonëse qellimi i saj ishte i mirë)”, thuhet në konstatimet e raportit.

Sipas këtij raporti, afati i zbatimit të rekomandimit është tre ditë pas marrjes së procesverbalit.

Por, edhe pse kanë kaluar 15 ditë, prej kur procesverbali i inspektorëve u dorëzua në Drejtorisë së Arsimit të Pejës, këta të fundit ende nuk kanë marrë asnjë veprim.

Kështu ka thënë drejtori i Arsimit në Pejë, Naser Gega.

“Komisioni disiplinor i DKA-së nuk e ka bërë publik vendimin akoma, raporti del të premten”, ka thënë shkurt ai.

Pamjet e publikuara nga Festa e Abetares në Pejë më 17 maj, ngjallën shumë reagime në publik.

Dhjetë nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, të moshave të ndryshme, të cilët u lanë anash nga festa, ishin pjesë e mësimit intensiv apo të kombinuar në shkollën fillore “Xhemajl Kada” në Pejë.

Pas publikimit të pamjeve në media, reagime pati shumë në publik. Ndërsa, në një vizitë në shkollën “Xhemajl Kada” në Pejë e kishte bërë edhe ministrja e Arsimit, Arbrie Nagavci.

Në një intervistë për KALLXO.com, Nagavci kishte thënë se do të hetohej rasti.

Nagavci: Kam aktivizuar Inspektoratin e Arsimit për rastin në Pejë, por raporti ka qenë i mangët

www.kallxo.com