Inspektorati deklarohet lidhur me vdekjen e punëtorit pas lëndimit në vendin e punës

Një punëtor ka vdekur në Prishtinë mbrëmë pas mesnatës, viktima ishte lënduar në vendin e punës në tetor të këtij viti, ndërsa ishte në trajtim në QKUK.

Lidhur me këtë rast Inspektorati i Punës në një deklarim për KALLXO.com, bëri të ditur se rasti është trajtuar si “lëndim i rëndë” në ndërtimtari.

“Me datë 13.10.2022  ka ndodh një lëndim i rënd i një punëtori në vendin e tij të punës. Rasti ka ndodh në ndërtimtari dhe është trajtuar nga inspektorati i punës. I aksidentuari i është goditur nga ngarkesa e varur në litar të kranit i vendosur mbi kamionin bartës”- thotë Inspektorati.

Sipas tyre, në momentin kur ka ndodhur aksidenti është trajtuar si rast i “lëndimit të rëndë” pasi personi ka qenë gjallë dhe se ata nuk kanë pasur njohuri që i njëjti  ka vdekur.

“Në momentin kur ka ndodh aksidenti rasti është vlerësuar si aksident i rëndë sepse i aksidentuari ka qenë gjallë. Nuk kemi pas njohuri të ketë ndërruar jetë. Për hollësitë tjera jemi në pritje të raportit zyrtar nga Inspektori që e ka hetuar rastin”- thuhet me tej në deklarimin e tyre.

Prishtinë – Punëtori vdes pas lëndimeve që kishte pësuar në vendin e punës në muajin tetor