Policia e trafikut. Foto: Kallxo.com

Inspektimi i IPK: Policia po vazhdon të konfiskojë patentë-shoferë pa zbatuar në disa raste rregullat dhe ligjin

Inspektorati Policor i Kosovës ka konstatuar pas një inspektimi disa mujorë se Policia e Kosovës më saktësisht zyrtarët policor po vazhdojnë të konfiskojnë patentë shoferë pa zbatuar në disa raste edhe rregullat mbi përjashtimet lidhur me marrjen apo konfiskimin e tyre në momentin kur kryhet kundërvajtja.

“Edhe vërtetimi që parashihet të lëshohet me rastin e konfiskimit të patentë shoferëve nuk përmban në vete dispozita që mbështetin konfiskimin e patentë shoferëve”, thuhet në raportin e IPK-së pas inspektimit.

Sipas IPK-së, Ligji për Rregullat e Trafikut Rrugor më saktësisht neni 248 tregon për pezullimin e dokumentacionit për drejtimin e automjetit ndërsa zyrtarët policor nuk i janë përmbajtur këtij ligji kur kanë bërë konfiskimin e patentë shoferëve.

“Këtë situatë e ka bërë konfuze edhe Udhëzimi Administrativ i MPB-së, në versionin e tanishëm dispozitat e të cilit vlerësohet se nuk janë konform frymës së legjislacionit në fuqi”, thuhet tutje në raport.

Tutje Inspektorati Policor ka konstatuar se praktika e tanishme e marrjes së patentë shoferëve përveç rasteve të përmendura me ligj, është e gabuar dhe për këtë çështje menaxhmenti i policisë duhet të njoftoj pjesëtarët e saj për rastet kur ata duhet të konfiskojnë patentë shoferët.

Për këtë çështje siç përmendet në raportin e inspektimit, Policia e Kosovës ka njoftuar IPK-në se është në proces të rishikimit të udhëzimit me çka edhe pritet të qartësohet çështja e marrjes së patentë shoferëve.

Në lidhje me këtë çështje Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë një rekomandim edhe në vitin 2019.

IPK ka inspektuar edhe verifikimin e të dhënave për raportimet e kundërvajtjeve për qytetarët. Këto të dhëna raportohen edhe në Sistemin Informativ të Policisë së Kosovës (SIPK).

Ky sistem përcakton që çdo zyrtar policor duhet të regjistroj brenda orarit të punës rastet e evidentuara siç janë kallëzimet penale, kundërvajtjet, letër rreshtimet, urdhër arrestet e disa të tjera.

Gjatë inspektimit të funksionimit të SIPK, IPK ka hasur se është bërë evidentimi i pikëve negative dhe masave mbrojtëse para se kundërvajtjet të marrin formën e prerë. Kjo sipas IPK-së mund të krijoj edhe pasoja juridike të palëve të përfshira.

Gjithashtu në po të njëjtin sistem është vërejtur edhe se ka mangësi në evidentimin e shënimeve të plota mbi kundërvajtjet.

“Në ditën kur është realizuar inspektimi, janë hasur dy raste kur kundërvajtjet nuk ishin evidentuar edhe pse ato ishin shqiptuar 2 muaj më parë”, thuhet në raport.

Arsyetimi i zyrtarit të SIPK-ut sipas raportit është ngarkesa e punës së personelit policor lidhur me evidentimin në përgjithësi të rasteve.

Raporti i inspektimit i kryer nga IPK për zyrtarët policor vë në pah edhe një problematikë tjetër. Zyrtarët policor që kanë qenë të ngarkuar për të shqiptuar gjoba lidhur me mosrespektimin e kufizimit të lëvizjes dhe mbajtjes së maskës në kohën e pandemisë, kanë bërë konfiskimin e gjashtë patentë shoferëve të gjashtë shtetasve të huaj nën arsyetimin që të sigurohet se ata do të paguanin gjobat e marra.

IPK ka vlerësuar se aplikimi i këtij standardi për të konfiskuar patentë shoferët nga qytetarët në mënyrë që të sigurohen që të njëjtit do të paguajnë gjobat për mosrespektim të masave gjatë pandemisë, është praktikë e gabuar dhe nuk ka asnjë mbështetje ligjore.

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar zyrën ligjore të PK-së, që të rishikoj legjislacionin dhe të eliminoj të gjitha paqartësitë rreth marrjes apo konfiskimit të patentë shoferëve.

Në lidhje me çështjet e ngritura nga IPK në gjatë inspektimit, të njëjtit kanë marrë edhe disa përgjigje nga Policia e Kosovës.

Në lidhje me evidentimin që në SIPK ka raste kur nuk janë evidentuar të dhënat e plota për kundërvajtësit, Policia e Kosovës ka thënë se do të ushtrohet kontroll më i madh si dhe do të udhëzohen të gjithë që të jenë të dhënat e plota dhe të sakta.

Për çështjen e praktikës së konfiskimit të patentë shoferëve pa bazë ligjore, Policia e Kosovës ka thënë se do të kërkohet që në rastet e shkeljes së rregullave të trafikut të veprohet sipas ligjit dhe nuk do të konfiskohen patentë shoferë për kundërvajtje që nuk ndërlidhen me çështje të trafikut.