Ilustrim - Logot e partive politike kosovare

Inspeksioni në Prishtinë paralajmëron gjoba për partitë politike që mbajnë tubime elektorale

Adonis Tahiri, drejtor i Inspeksionit në Prishtinë, ka bërë të ditur se do të shqiptojnë gjoba për partitë që organizojnë tubime në Prishtinë për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Përderisa ligji dhe masat janë në fuqi, Inspekcioni i Prishtinës do t’iu shqiptojë gjoba prej 2,000 eurosh secilit subjekt politik, për secilin tubim në Prishtinë. Nuk do të lejojmë që inspektorët dhe Policia të sfidohen në këtë formë nga subjektet politike”, ka thënë Tahiri në Facebook.

Sipas tij, është hipokrizi të dënosh qytetarët e të mos i dënosh partitë për tubime.

“Dëno qytetarë për mosmbajtje të maskës në rrugë; dëno lokale për distancë të vogël të tavolinave; dëno e bllombo biznese që qëndrojnë hapur pas orës 20:00; malltrero qytetarët me orë policore – e vet organizo tubime zgjedhore me plot njerëz (me e pa maska) si sardina, është hipokrizi!”, ka shtuar Tahiri.

Ai ka shtuar se grumbullimi i njerëzve është i ndaluar me vendim të vet atyre që po i grumbullojnë.

“Ka ligj për luftimin dhe parandalimin e pandemisë, me gjoba konkrete, që është votuar nga vet ata qe po flasin nëpër këto tubime politike”, ka thënë Tahiri.

Më 14 shkurt do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare pasi që Gjykata Kushtetuese konstatoi se vota e deputetit Etem Arifi pro Qeverisë Hoti ishte e pavlefshme, rredhimisht zgjedhja e Qeverisë ishte jokushtetuese.