Formon në punë duke prodhuar "VentCore". Foto- Formon

Inovacioni po lulëzon në këtë kohë pandemie 

Ndërkohë që pandemia e koronavirusit ka ndaluar të gjithë prodhimin dhe biznesin e jodomosdoshëm ditor, njerëzit në Kosovë po gjejnë mënyra inovative për të përdorur kohën e lirë dhe ekspertizën e tyre për të ofruar ndihmë vullnetare për ata që janë në nevojë, ndërsa komuniteti kulturor  nëe Kosovë po zbulon metoda të reja për argëtimin e masaës.

Para fillimit të pandemisë së koronavirusit, Rron Cena dhe ekipi i tij në FORMON, kompani të cilën ai e themeloi, ishin të njohur për hartimin dhe prodhimin e printerëve 3D në Kosovë.

Sidoqoftë, biznesi, si zakonisht, është ndalur – jo pse ekipi po pushon gjatë masave të bllokadës, por sepse FORMON e ka vënë në dispozicion fuqinë e tij njerëzore dhe burimet në ndërtimin e ventilatorëve për të ndihmuar ata që vuajnë nga komplikimet e frymëmarrjes nga koronavirusi.

 

“Për momentin, ne i kemi ndalur të gjitha aktivitetet e prodhimit të printerëve tanë 3D për të zhvilluar një ventilator që e lehtëson frymëmarrjen, mungesa e të cilit ka shkaktuar shumë probleme në të gjithë botën,” shpjegoi Rroni. “Ne kemi vërejtur se ky ishte çelësi për trajtimin e pacientëve, veçanërisht ata që janë shtruar në spital sepse virusi ka sulmuar mushkëritë e tyre”.

FORMON kanë zhvilluar një metodë për prodhimin e çantave BVM, që mjekët dhe infermierët i përdorin manualisht për të ndihmuar pacientët në frymëmarrje, duke përdorur printerët 3D të kompanisë.

Rroni zbuloi se kostoja e papërballueshme, për të cilën ai thotë se mund të arrijë në 13,000 euro secila, do të thoshte se ka të ngjarë që kërkesa për më shumë sosh të mos mund të përmbushej, si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj.

Në mënyrë që ta adresojë këtë çështje, FORMON ka filluar bashkëpunimin me ekspertë mjekësorë dhe me 10 kompani të tjera për të zhvilluar një alternativë të sigurt dhe me kosto efektive, të quajtur VentCore, e cila duhet të jetë e gatshme për të filluar prodhimin në ditët e ardhshme. Produktet e përfunduara do të dhurohen për spitalet në nevojë.

Rroni dhe ekipi i tij nuk janë të vetmit që po japin kontributin e tyre në nevojat e shoqërisë gjatë pandemisë. Ditën e enjte, BIRN kishte ftuar sipërmarrës dhe vullnetarë nga i gjithë vendi në programin televiziv ‘Jeta ne Kosove’, për të ndarë historitë e tyre për ndihmën që ata e kanë dhënë.

 

Marko Rakic nga OJQ ‘Link’ në Mitrovicë, Shaban Buza dhe studentët e tij nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës dhe Besart Osmani nga Këndi Amerikan në Prizren, po përdorin të gjithë printerët 3D për të prodhuar maska  mbrojtëse për fytyrë.

“Studentët e mi që janë në posedim të printerëve 3D apo që punojnë në studio, janë paraqitur vullnetarë bërë t’i prodhuar ato, me shpenzimet e tyre”, tha Shaban Buza. “Që nga e marta ne kemi dhënë më shumë se 1000 maska mbrojtëse për institucionet publike, spitalet rajonale, qendra të mjekësisë familjare dhe do t’i sigurojmë ato për këdo tjetër që ka nevojë për to.”

Vullnetarët shëndetësorë janë mirënjohës për përpjekjet bashkëpunuese që janë dëshmuar deri më tani. Jehona Krasniqi, një doktoreshë vullnetare që punon në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Prishtinë, i tha BIRN se këto iniciativa janë thelbësore për të garantuar sigurinë e punonjësve shëndetësorë në vijën e parë frontale.

“Sipas informacionit që unë kam, ne nuk kemi mjaftueshëm pajisje nga këto, kështu që ky lloj prodhimi inovativ do të ndihmojë shumë, veçanërisht për stafin të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët,” tha Krasniqi.

Sipas Shabanit, kjo kulturë e bashkëpunimit që është zhvilluar në vazhdën e pandemisë nuk duhet të harrohet edhe pasi kjo krizë e  shëndetit publik të tejkalohet.

“Ne po bëjmë çmos për të ndihmuar mjekët tani dhe ata po na ndihmojnë gjithashtu, por kjo është një përvojë që duhet të vazhdojë,” tha ai. “Institucionet duhet të kujdesen për këtë dhe të bashkëpunojnë me inovatorët (shpikësit) dhe sipërmarrësit. Shpresoj shumë se ky bashkëpunim i vazhdueshëm do të mbetet akoma, dhe kjo do të çojë në përparimin teknologjik dhe ekonomik.”

Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi, e cila gjithashtu ishte pjesë programit, vuri në dukje se kontributet më të vlefshme kanë ardhur nga të rinjtë. “Rinia jonë është komponenti më i fortë i Kosovës, inovacioni i tyre, ndërmarrjet e tyre të biznesit. Fakti është, investimi më i madh duhet të shkojë për ta, “tha ajo.

Iniciativa rinore në të gjithë vendin

Petar Gjordjeviç drejton një grup çiklizmi turistik në Graçanicë, por ka vendosur që gjatë pandemisë, biçikletat e tij vihen në përdorim për diçka më mirë.

“Meqenëse nuk do të ketë asnjë aktivitet turizmi këtë vit, ne krijuam një platformë online ku njerëzit mund të porosisin sende shtëpiake, dhe vullnetarët tanë mund të shkojnë me biçikletë dhe ti dërgojnë ato gjëra në adresat individuale,” tha ai për BIRN. “Kjo do t’i mundësojë njerëzit të qëndrojnë në shtëpi dhe të furnizohen me gjithçka që kanë nevojë, duke i ndihmuar gjithashtu prodhuesit vendas dhe sipërmarrësit që ti plasojnë produktet e tyre online.”

‘Paqja Studentore’, Organizatë Studentore për Paqen, ka krijuar një klub online librash me emrin ‘Qëndro në shtëpi dhe lexo.’ Një nga krijuesit e idesë, Medina Pasoma, inkurajoi më shumë njerëz që të regjistroheshin në Facebook për të pasur qasje në bibliotekën e tyre online dhe të bëheshin pjesë e diskutimeve.

 

Tani për tani po lexojmë librin ‘1984’ nga George Orwell dhe libri tjetër do të jetë ‘Letra për babain’ nga Franz Kafka. Tashmë kemi rreth 300 anëtarë dhe mbi 50 tituj librash, dhe jemi në proces të marrjes edhe të më shumë titujve, “tha ajo.

Qytetarët janë përfshirë gjithashtu në promovimin e përpjekjeve për mbledhjen e fondeve për të mbështetur familjet në nevojë. Nora Weller ndihmoi në fillimin e nismës ‘Nje Kafe si Flutur’ në bashkëpunim me VALA dhe Kosova Telecom, për të mbledhur para për Aksionin për Nënat dhe Fëmijët.

“Njerëzit po ankohen se po u mungon të moshkuarit në kafe, por tani nuk kemi ku të shkojmë, ne mund t’i japim një euro që kemi shpenzuar për kafe për ti ndihmuar të tjerët në Kosovë”, tha Weller. “Njerëzit mund të dërgojnë një euro me SMS në çdo kohë.”

Burhan Gashi është vullnetar nga komuniteti rom që punon në Janjevë dhe Fushë Kosove duke u siguruar që komunitetet në këto zona të marrin pako me ushqim për t’i ushqyer familjet e tyre ndërkohë që shumica e ekonomisë kosovare është në gjendje të keqe.

“Ne kemi mbledhur informacione derë më derë, duke bërë lista të njerëzve në nevojë dhe më pas duke ndihmuar në shpërndarjen e paketave ushqimore dhe higjienike për ta,” shpjegoi Burhani. “Deri më tani, ne jemi në kontakt me 500 amvisëri, duke i ndihmuar personat me sëmundje kronike, të vejat apo beqarët, prindërit beqarë dhe familjet që kanë më shumë nevojë për këto pako.”

Rakic sqaroi se OJQ-ja e tij nuk është duke i përdorur vullnetarët e tyre vetëm për të prodhuar maska fytyre. OJQ ‘Link’ është duke inkurajuar inovacionin e mëtutjeshëm duke zhvilluar seminare online në programimin android, menaxhimin e rrjetit social dhe sigurinë e aplikacioneve, dhe ata gjithashtu kanë organizuar aktivitete kulturore siç janë artet marciale dhe klubet e librave për t’i mbajtur të rinjtë të zënë ndërkohë që masat restriktive vazhdojnë akoma.

Sipas Ministres të Kulturës, Dumoshi, individët dhe organizatat e përfshira në sektorin e kulturës në Kosovë janë një nga komunitetet më të rrezikuara, dhe Ministria po bën më tw mirën e mundshme për ti mbështetur nga ana materiale ata, jetesa e të cilëve është në rrezik dhe të vazhdojë tu ofrojë qytetarëve të Kosovës argëtim nga shtëpitë e tyre.

“Ne kemi punuar me komunitetin e pavarur artistik përmes takimeve dhe video-konferencave, kemi menduar ta nisim një përmbajtje filmi të teatrit, baletit, dhe shpërndarjen e tij në mediat sociale,” tha Dumoshi. “Filmat po transmetohen në TV dhe Filarmonia e Kosovës ka mbajtur koncertin e saj të parë në TV në ditën e kushtetutës. Deri më tani, këto janë pritur mirë, me shumë shikues online dhe përmes televizionit. “

 Mbajtja e gjallë e shkëmbimit kulturor

Sipas Dumoshit, Ministria po siguron subvencione për të mbajtur aktivitete kulturore në të gjithë vendin, përfshirë mbështetjen për skenën teatrore të vendit.

Erson Zymberi, drejtor i teatrit në Gjilan, tha se ata kanë punuar në gjetjen e metodave alternative për të qëndruar të lidhur me audiencën e tyre, së pari duke i shfaqur shfaqjet e tyre live nëpër media sociale. “Ne shënuam 27 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Teatrit, duke e treguar shfaqjen tonë të parë, të quajtur” Loja që shkon keq,”” tha ai. “Ne kishim një audiencë të shkëlqyeshme, rreth 20,000 njerëz e shikuan atë brenda 24 orëve, dicka shumë për një teatër me vetëm 296 ulëse”.

Sipas Ersonit, shfaqjet me transmetim direkt online janë zgjidhja më e mirë aktuale që teatri i tij ka për të mbajtur lidhjet e saj me publikun. “Pavarësisht numrave, asgjë nuk mund të zëvendësojë teatrin nga brenda salla e teatrit dhe ndjenjën që ju merrni nga shikimi i një shfaqje nga teatri”, tha ai. “Jeta kulturore është e rëndësishme për njerëzit dhe ne jemi prekur shumë nga kjo.”

Sipas Ardian Morines nga Teatri Kombëtar i Kosovës, më shumë se 70,000 njerëz i kanë shikuar shfaqjet që teatri i ka transmetuar online. “Unë besoj se pasi ti shikojnë shfaqjet online, njerëzit do të duan të vijnë dhe t’i shikojnë ato edhe nga salla e teatrit gjithashtu”, tha Morina. “Shpresojmë, njerëzit do të na e kthejnë këtë favor, pasi të mbarojë pandemia dhe të vijnë ti shohin shfaqjet personalisht.”

Platformat e njohura të mediave online në vend po gjejnë gjithashtu mënyra inovative për t’i mbajtur njerëzit të argëtuar. Sipas Doresa Rexhes nga Gjirafa, ata po lënë menjanë një licencë kreative për stafin e tyre në shtëpi për të vazhduar me prodhimin e përmbajtjes për shikuesit e tyre.

“Po përjetojmë një lulëzim krijimtarie,” tha ajo. “Jemi duke u përqëndruar në prodhimin personal të videove duke siguruar teknologji për aktorët e emisioneve tona televizive, të cilët po regjistrojnë përmbajtje nga shtëpia. Ne gjithashtu po prodhojmë rreth tre kuize çdo javë, me nikoqirët tanë duke e bërë prezantimin nga shtëpia. “

Ndërkohë që Doresa Rexha thotë se Gjirafa është e etur për të vazhduar prodhimin gjatë pandemisë, varësia e tyre në të ardhura finanaciare nga reklamat do të thotë që ata nuk do të jenë në gjendje të mbështesin punonjësit e tyre për një kohë më të gjatë. “Do të jemi të sigurt për dy ose tre muaj të tjerë, kemi platforma të ndryshme që janë në gjendje ta mbështesin njëra-tjetren,” tha ajo.

Ministria synon të japë mbështetje

Ministrja Dumoshi pranoi se kultura dhe aktivitetet artistike ka të ngjarë të marrin një goditje të madhe ekonomike si rezultat i pandemisë me coronavirus. Sipas saj, ministria është në proces të alokimit të buxhetit të saj për të subvencionuar organizata të pavarura dhe individë në këtë sektor që po përballen me vështirësi.

“Për kulturën, 9.8 milion euro të buxhetit të programit tonë është për subvencione,” tha Dumoshi. “Ministria e Financave ka ndarë një fond prej pesë milionë eurosh ekskluzivisht për ndihmë emergjente gjatë pandemisë.”

Sidoqoftë, akoma nuk dihet kur dhe si pritet të shpërndahet ky fond emergjent.

“Aktualisht jemi në pritje të Ministrisë së Financave për të marrë një sqarim se si do të bëhet ndarja e këtyre fondeve,” tha ajo, duke shtuar se një grupi pune në Ministri do ti kërkohet që të shqyrtojë tutje këtë çështje dhe të hartojë disa kritere për njerëzit që të aplikojnë për ndihmë.

Shaban Buza është krenar me faktin që studentët e tij në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike ia dolën me të arriturat e tyre përballë një emergjence shëndetësore publike. Sipas tij, tani është përgjegjësi e qeverisë dhe e të rinjve të Kosovës që të vazhdojnë përpjekjet e tyre bashkëpunuese për të ardhmen për të mbështetur zhvillimin ekonomik, kulturor dhe teknologjik të Kosovës.

“Tani është koha që të rinjtë me të gjitha kapacitetet e saj, intelektuale dhe materiale, në bashkëpunim me institucionet arsimore dhe shtetin, ta ruajnë këtë bashkëpunim të ngushtë, sepse deri më tani ata ishin të ndarë,” tha ai. “Kjo situatë na tregoi se sa i rëndësishëm është komunikimi. Shpresojmë që kjo nuk do të harrohet. “

Kjo seri e debateve është mbështetur dhe financuar nga UNMIK. Programi pasqyron vetëm pikëpamjet e individëve.