Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Inicohet procedurë disiplinore ndaj një përmbaruesi privat

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka shkruar në rrjetin social Facebook se kanë inicuar procedurë diciplinore ndaj një përmbaruesi privat.

“Sot kemi iniciuar procedurë disiplinore ndaj një përmbaruesi privat, me dyshim për shkelje të ligjit gjatë ushtrimit të autorizimeve të tij. Mbikëqyrja e punës së profesioneve të lira është jo vetëm përgjegjësi e Ministrisë së Drejtësisë, por edhe përkushtim i imi”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka thënë, se do të jenë të pa kompromis në vënien para përgjegjësisë të kujtdo që nuk vepron sipas përgjegjësisë.

“Me këtë rast e inkurajoj komisionin disiplinor, që këtë rast ta trajtojë në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi”, ka shtuar ajo.

Haxhiu ka ftuar të gjithë qytetarët, të cilët gjatë marrjes së shërbimeve nga ana e noterëve, përmbaruesve privat apo ndërmjetësuesve, hasin në ndonjë parregullsi apo shkelje ligjore, rastin ta paraqesin në Ministri të Drejtësisë.

“Ligjshmëria, transparenca dhe llogaridhënia jo vetëm si nocione, por para së gjithash si parime do të jenë udhërrëfyes i punës sime dhe i Ministrisë së Drejtësisë”, ka thënë Haxhiu.