Iniciohet rast ndaj një barnatore për shitje të barnave pa banderolë

Hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë iniciuar dy raste, një ndaj tre operatorëve ekonomikë për keqpërdorim dhe mashtrim në tenderin për uniforma të policisë dhe një tjetër ndaj një barnatore për shitje të barnave pa banderola.

Në rastin e parë, pas tenderit të hapur nga policia për furnizim me uniforma të policisë, ku kishin aplikuar disa operator ekonomik, nën dyshim për përfshirje në veprën penale ‘keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’, kanë filluar hetimin që ka zgjatur afro dy muaj.

Bazuar në hetimet e kryera, gjegjësisht në gjetjet gjatë hetimit, ka ardhur deri te dyshimi se tre operatorë ekonomikë kanë kryer veprën e lartcekur.

“Rasti karshi veprës penale ‘keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’ është iniciuar, janë siguruar dëshmi që së bashku me kallëzimin penal do të dërgohen në prokurori”, thuhet në njoftim.

Në rastin e dytë, hetuesit policorë kanë pranuar një informatë se në një barnatore në Prishtinë shiten barna pa banderola të Republikës së Kosovës.

Policia në bashkëpunim me Inspektoratin Farmaceutik kanë kryer kontroll në këtë barnatore. Pronari i barnatores është shoqëruar në polici dhe i njëjti është intervistuar.

“Rasti i iniciuar është trajtuar në koordinim me prokuroren kujdestare dhe me aktvendim nga ana e saj rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt”, theksohet në njoftim.