Fisnik Millaku dhe Drita Millaku

Iniciohet procedurë disiplinore për bashkëshortin e deputetes së LVV-së pas raportimit të KALLXO.com

Policia e Kosovës ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj Fisnik Millakut, pas raportimit të KALLXO.com se i njëjti është gjobitur pas organizimit të ahengut për djalin e tij në kohë pandemie.

Millaku është zyrtar policor në Policinë e Kosovës, më saktësisht staf civil në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren.

I njëjti është bashkëshort i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millakut.

Policia e Kosovës në disa përgjigje për KALLXO.com ka treguar në detaje veprimet që janë ndërmarrë ndaj Fisnik Millakut.

“Në lidhje me trajtimin e informatës nga aspekti i shkeljes së vendimit të Qeverisë së Kosovës  në fuqi dhe e  Ligjit  07/L-006 për masat  ligjore anti Covid19, nga i potencuari nga ana juaj, rasti është trajtuar nga  DRP Pejë/ SP Klinë, dhe të njëjtit  i është shqiptuar tiketa me nr. (…),  për organizim të ahengut në fshatin Ujmir KK Klinë, për çka ekziston edhe kopja e tiketës së shqiptuar nga SP Klinë”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Tutje të njëjtit kanë treguar për KALLXO.com se Millaku ka kryer shkelje të rëndë disiplinore.

“Sa i përket aspektit të  shkeljes  disiplinore, komfor Ligjit  për Zyrtarët Publik  nr.06/L-114, neni 46 paragrafi 3 ,,Shkeljet e rënda’’ , ndaj të apostrofuarit nga ana juaj, dje datë 14.09.2021  është iniciuar procedura disiplinore, e cila i është adresuar Sekretarisë  së Komisioneve Disiplinore  për  Shërbyes Civil , komform  ligjit e rregullores për Zyrtarët Publik, dhe është në proces të kompletimit/dorëzimit fizikisht përmes zinxhirit komandues në këtë Komision”, ka thënë tutje policia.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme njoftoi për gjobitjen e Millakut për shkak të organizimit të ahengut për fejesën e djalit të tij në një shtëpi të përbashkët familjare në fshatin Ujmir të Komunës së Klinës.

Qeveria e Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë, e cila udhëhiqet nga LVV, subjekt të cilit i takon edhe Drita Millaku, kanë marr vendime që për shkak të situatës me pandeminë COVID-19 të ndalohen të gjitha ahengjet, dasmat e organizimet tjera që mund të jenë më masive.

Burri i deputetes së LVV-së, zyrtar i Policisë së Kosovës, gjobitet për ahengun familjar