Iniciativa serbe në veri të Kosovës parasheh krizë pas marrëveshjeve për targa e energji - VIDEO

 

Dy marrëveshje të cilat kanë ndodhur në ditët e fundit e që prekin qytetarët të cilët jetojnë në komunat me shumicë serbe në veri të Mitrovicës, po konsiderohen brengosëse e të cilat mund të sjellin kriza sikur ato që ndodhën vitin e kaluar.

Këto dy marrëveshje që parashohin faturimin e energjisë elektrike dhe reciprocitetin për targa sipas iniciativës “Mbijetesa serbe” kanë shkaktuar nervozizëm te qytetarët serb në veri të vendit.

 “Për sa i përket veriut parashohim një krizë serioze që mund të ndodhë dhe unë vetëm shpresojë që këto konflikte mes politikanëve të mbesin në nivelin verbal, ashtu që të mos të kemi dhunë dhe që ndokush mos të humb jetën pasi që do të ishte jashtëzakonisht kritike për një situatë edhe ashtu të brishtë politike të veriut në Kosovë”, thotë kryetari i iniciativës “Mbijetesa serbe” Aleksandar Arsenijeviq.

Tutje i njëjti përmendi edhe bllokadat që ndodhën në shtator të vitit të kaluar e aksionet e policisë ku pati edhe të plagosur.

“Vitin e kaluar e patëm krizën me Jarinjen dhe Bërnjakun, përmes bllokadave dhe gjërave të tjera, pastaj më vonë i patëm disa plagosje, problemet afër barnatoreve, etj. prandaj mendoj që do të rriten presionet dhe reagimet e qytetarëve do të manifestohen në atë mënyrë, që mund të rezultojë në një rrezik shumë të madh, marr parasysh që qytetarët e kanë kuptuar që ata kanë mbetur të braktisur”, shton ai.

Nënkryetari i së njëjtës iniciativë, Stefan Veljkoviq fajin për marrëveshjet ia la Listës Serbe.

“Për sa e sa herë me radhë Lista Serbe i zhgënjeu serbët e Kosovës dhe i la në baltë. Dikush këtë e quan tradhti të radhës ndërsa unë do të them që është koha që ata tanimë politikisht të pensionohen sepse ka ardhur koha për këtë dhe të mos kthehen kurrë”, thotë Veljkoviq.

Arsenijeviq tutje shtoi se në lidhje me regjistrimin e targave të veturave me RKS, qytetarët në veri të vendit nuk kanë mundësi të bëjnë një gjë të tillë.

“Këtë do t’ua lëja qytetarëve sepse qytetarët aktualisht janë në një fazë nervozizmi dhe mendoj që ky informacion ende nuk ka fjetur në mendjen e tyre. Me këdo që mbramë pata mundësinë të flisja, të gjithë shprehimisht ishin kundër, por do ja lëmë kohës dhe do e shohim se cilat hapa të mëtutjeshëm do të ndermirën nga ana e qeverisë në Prishtinë”, thotë ai.

Vitin e kaluar në shtator pati bllokada e protesta në lidhje me vendimin për targat. Marrëveshja aktuale është se edhe Kosova edhe Serbia duhet të mbulojnë simbolet shtetërore kur hynë në territoret e njëra tjetrës.

Në anën tjetër ekipi i KALLXO.com gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në veri të vendit dhe ka marrë reagime nga ana e qytetarëve në atë zonë në lidhje me faturimin e energjisë elektrike.

Disa nga ta u shprehen pozitiv se energjia elektrike e cila përdoret duhet edhe të paguhet.

Njëqytetar e konsideron normale pagesën e energjisë elektrike por shton se duhet të përmirësohet çështja e të ardhurave.

“Më duhet t’ju them, që pavarësisht kësaj, ajo duhet të paguhet. Ajo që detyrohet duhet të paguhet e që është normale. Por, do ishte mirë nëse institucionet të funksiononin më mirë për sa i përket të ardhurave dhe asaj që është premtuar. Shikoni çmimet e ngritura që nga pandemia me Covid e tutje, lufta në Ukrainë, etj. inflacioni është i madh, standardi i ulët”, thotë qytetari tjetër nga veriu i vendit.

Një tjetër qytetar shprehet se nuk duhet të bëhet pagesa e energjisë elektrike për shkak se në veri të vendi ka të ardhura të ulëta.

“Mos të paguhet, sepse nuk ka të ardhura. Të ardhurat janë të ulëta. Sepse nuk është paguar për 23-24 vite. Është dashur të paguhet që nga fillimi”, thotë ai.

Ditë më parë, Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe kryenegociatori i palës kosovare, Besnik Bislimi ka thënë se me arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, komunat në veri të vendit do të faturohen sipas legjislacionit të vendit tonë.

Ky vendim pritet të hyjë në fuqi në muajt e ardhshëm.

Qe nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, më 1999, qytetarët e veriut janë furnizuar rregullisht me energji elektrike, por nuk e kanë paguar atë.

Rrjedhimisht, për rrymën e shpenzuar në veri, qytetarët e komunave të tjera të Kosovës kanë paguar direkt nga xhepi i tyre nga viti 1999 deri më 2017.

Gjatë kësaj periudhe, faturat e tyre kanë qenë për 3.5 për qind më shtrenjtë.

Nga 2017-ta, kjo përgjegjësi e pagesës ka kaluar te Qeveria e Kosovës. Nga ai vit, Qeveria e Kosovës ka ndarë miliona të shumtë për pagesën e energjisë elektrike për qytetarët në veri të vendit.