'Infrakos' deklarohet për marrëveshjen hekurudhore Prishtinë-Beograd

Kompania publike “Infrakos” ende nuk ka marrë ndonjë shkresë zyrtare për pjesëmarrjen në takimin e paralajmëruar për të hënën e javës së ardhshme në Berlin, ndonëse është njoftuar lidhur me marrëveshjen e mundshme për një linjë hekurudhore Prishtinë-Beograd.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, Agron Thaçi, kryeshef ekzekutiv në kompaninë “Infrakos”.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell sot në Beograd ka deklaruar se Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të ketë një marrëveshje për një linjë hekurudhore që lidh të dyja vendet, pas asaj që u nënshkrua ditë më parë për fluturimet.

Kurse, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka deklaruar se kanë marrë ftesë nga Grenell për një takim në Berlin të hënën, me 27 janar në nivel ekspertësh.

Ndërkaq, kryeshefi i “Infrakosit”, Agron Thaçi ka thënë për KALLXO.com se janë të gatshëm për pjesëmarrje në rast se u kërkohet nga institucionet ekzekutive.

“Ne ende nuk kemi ndonjë shkresë, vetëm jemi të informuar nga ministria e linjës që në çdo moment që të ketë një qartësim ne sigurisht do të marrim detyrat e caktuara dhe do të punojmë në drejtim të ndonjë marrëveshje eventuale ose në drejtim të përmbajtjes”, ka thënë ai.

Thaçi ka shtuar se çështja e linjës hekurudhore është diskutuar në fazën e negociatave teknike mes Kosovës dhe Serbisë, por ka mbetur pa u trajtuar në nivelin politik.

“Kemi pasur gjithsej 9 takime në të gjitha qendrat e Evropës me ndërmjetësim dhe mbështetje të zyrës së komisares Mogherini dhe ministres Edita Tahiri. Për disa çështje teknike, kemi arritur atëherë që të dakordohemi por jo çështje konkrete dhe përfundimtare, mirëpo sigurisht që rihapja e linjës dhe çështja e menaxhimit ka qenë problemi kryesor dhe aty ka ngec”, ka thënë ai.

I pyetur se kush pritet ta përfaqësojë palën kosovare në takimin e paralajmëruar, Thaçi ka thënë se kjo çështje do të shihet ndërkohë.

“Do të shohim ndërkohë, varësisht prej organizimit që do ta bëjë Qeveria e Kosovës”, është përgjigjur ai për KALLXO.com.

Kryeshefi i “Infrakosit” shpreson se me ndërmjetësimin e SHBA-së, do të ketë qartësim dhe marrëveshje përfundimtare për transportin hekurudhor.

“Kjo është në interes të dy shteteve dhe të gjithë rajonit e veçanti në interes të Kosovës, sepse Kosova pa linjën veriore është mjaft e bllokuar dhe është e gjysmë izoluar në aspektin e transportit hekurudhor. Kjo do të ishte një arritje e madhe për ekonominë e vendit tonë, por edhe të rajonit patjetër dhe sigurisht për lehtësimin e qarkullimit të udhëtarëve”, vlerëson ai.

Thaçi ka shtuar se janë të gatshëm të asistojnë në takime dhe marrëveshje, me ekspertizën që e posedojnë.