Ilustrim, Foto: Pixabay.com

Inflacioni, Zgjedhjet dhe lufta dominuan vitin 2024

Inflacioni ka rënë në shumicën e ekonomive anembanë botës më 2024, por votuesit nuk e bënë hesap këtë punë.

Të zemëruar prej ngritjes së çmimeve për gjithçka – prej vezëve deri tek energjia gjatë viteve të kaluara – ata i ndëshkuan partitë në pushtet pothuajse në çdo mundësi që iu dha. Pasojat e inflacionit ende po e bëjnë të veten dhe partitë në pushtet u fajësuan në procese të njëpasnjëshme zgjedhore – vlerëson Agjencia e lajmeve Reuters, në një analizë të publikuar më 23.12.2024.

Në Shtetet e Bashkuara, çmimet e larta ndihmuan Donald Trumpin që ta fitonte mandatin e dytë si President katër vjet pasi ishte ndëshkuar e larguar nga Shtëpia e Bardhë – duke akuzuar pastaj fituesit për kurdisje të rezultatit të Zgjedhjeve. Mbështetësit dështuan ta rrëzonin disfatën e Trumpit, duke sulmuar Kapitolin më 6 janar 2021. Sivjet, ata kanë bërë që zëri i tyre të dëgjohet në kutitë e votimit, duke i hapur rrugë një lidershipi të ri amerikan që me gjasë do të testojë institucionet demokratike në vend dhe marrëdhëniet me jashtë.

Ndjenja kundër pushteteve – shkaktuar prej pasojave të inflacionit – gjithashtu sollën Qeveri të reja në Britani, Botsuanë, Portugali dhe Panama. Votuesit i dhanë opozitës shumicën në Parlamentin e Koresë Jugore, duke nisur hetimin për shkarkim të presidentit, Yoon Suk Yeol. Në fillimdhjetor, ai shpalli “gjendje të jashtëzakonshme” – një veprim që Asambleja Kombëtare ia rrëzoi menjëherë. Zgjedhjet e reja, gjithashtu, tronditën Francën e Gjermaninë dhe Japoninë e Indinë.

Një vend ku nuk pati ndryshim ishte Rusia, në të cilin presidenti Vladimir Putin u rizgjodh me 88% të përkrahjes së votuesve – shifër rekorde në Rusinë postsovjetike.

Rusia vazhdoi luftën e saj kundër Ukrainës, duke shënuar përparime të theksuara në terren. Pikëpyetja e madhe është se çfarë ndikimi do të ketë në konflikt rikthimi i Donald Trumpit në janar në Shtëpinë e Bardhë. Ai ka premtuar se Luftës do t’i japë fund brenda një dite të vetme. Shumëkush në Ukrainë e gjetiu në Europë druan se Trumpi do të mbajë anën e Putinit dhe se do ta ngrijë status-quon.

Në Lindje të Mesme, Izraeli vazhdoi luftën e tij kundër Gazës dhe zgjeroi fushatën në Liban, ku dëmtoi “Hebzollahun”, të mbështetur nga Irani. Në Siri, përzgjedhja e mirë e disa grupeve kryengritëse rrëzuan Bashar al-Assadin dhe tani po mundohet ta qeverisë vendin.

Në ekonomi, kompanitë anembanë botës patën telashe sesi t’i përshtateshin Inteligjencës Artificiale. Dominimi i kompanive të teknologjisë për investitorët mund të përmblidhet me këtë fakt të thjeshtë: shtatë firma teknologjie – të njohur si “Shtatëshja Madhështore” – tani kanë një të tretën e vlerës së tregut “S&P 500”.

Elon Musk, i cili ka njërën prej këtyre kompanive, “Tesla-n”, është këshilltar e mbështetës financiar i presidentit të zgjedhur, Trump. Nëse hedhim shikimin përpara, kombinimi i fuqisë teknologjike dhe pushtetit politik me gjasë do ta përcaktojë vitin 2025.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com