Inflacioni, Foto: Pixabay

Inflacioni u rrit për 14 % në muajin korrik

Çmimet e konsumit kanë qenë më të larta në muajin korrik të këtij viti për 14.2 për qind krahasuar me muajin e njëjtë të vitit 2021.

Në këtë ngritje të çmimeve kanë ndikuar më së shumti vajrat dhe yndyra ushqimore, karburantet, drutë, peleti, buka, drithërat, shërbimet e transportit dhe të tjera.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në ngritjen e çmimeve kanë ndikuar vajrat dhe yndyra ushqimore me 54.1 për qind; karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal me 44.1 për qind; lëndët djegëse të ngurta, si dru zjarri e pelet etj, me 43.5 për qind; bukë dhe drithëra me 32.1 për qind; shërbime për transport me 27.7 për qind; gazi me 26.8 për qind; qumështi, djathi dhe vezët me 26.3 për qind; mishi me 21.8 për qind.

Ndërsa nën 20 për qind ngritje të çmimeve ka pasur për sheqerin, reçelin, mjaltin, çokollatën dhe ëmbëlsira me 19.1 për qind; kafe, çaj dhe kakao me 16.8 për qind; prodhime të ndryshme ushqimore, salca, erëza kripë, ushqim për fëmijë etj, me 15.2 për qind; shërbime hoteliere me 14.6 për qind; materiale për mirëmbajtjen dhe riparimin e banesës 12.2 për qind; vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht 11.5 për qind; mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 11.3 për qind.

Shërbimet e tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit kanë kontribuar me 9.9 për qind; pushimet e organizuara me 8.3 për qind; perimet me 7.7 për qind; kujdesi personal me 7.4 për qind; pije alkoolike me 7.1 për qind; gjëra dhe pajisje të tjera rekreative; kopshte dhe manare 6.9 për qind; gjërat personale 6.6 me për qind; ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet 6.5 për qind; pajisje shtëpiake 6.2 për qind; pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal 6.2 për qind; blerje e automjeteve 5.7 për qind; mobilie dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje 5.1 për qind;

Ndërsa duhani 4.7 për qind; qelqurina, takëme dhe mjetet e kuzhinës 3.7 për qind.

Në anën tjetër rënie çmimesh pati vetëm në pemë, me -6.4 për qind, me një ndikim prej 0.1 për qind.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se ka pasur rritje të çmimeve të konsumit në një mesatare prej 0.9 për qind në muajin korrik krahasuar muajin paraprak, muajin qershor.

Më së shumti në këtë rritje në muajin korrik kanë ndikuar pushimet e organizuara me 22.1%; shërbimet për transport  me 9.4%; lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj, me 7.4%; qumështi, djathi dhe vezët me 4.8%; buka dhe drithërat me 3.9%; pemët me 3.6%; pijet alkoolike me 3.5%; mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake me 2.6%; shërbimet hoteliere me 2%; mishi me 1.7%; qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës me 1.1%.

Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal me -7.7 për qind dhe perimet me -3.5 për qind.

Këto të dhëna u bënë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, me publikimin e raportit “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin korrik 2022.