Infermierja në Vushtrri e infektuar me COVID-19, shëtit në qytet

Një infermiere nga Vushtrria që ka rezultuar pozitive me COVID-19  nuk është vetizoluar në shtëpi.

Duke rrezikuar edhe qytetarët e  tjerë, infermierja nga Vushtrria ka dalë jashtë shtëpisë ku është takuar nga njësiti policor.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe Drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në Vushtrri, Rrahim Ajeti.

Ai  ka bërë të ditur se mbrëmë nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit kur edhe qarkullimi në komunën e Vushtrrisë është i ndaluar për shkak të masave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, e vetmja gjobë është shqiptuar për infermieren e Vushtrrisë.

“ Shumica e qytetarëve dhe lokaleve kanë respektuar masat e marra për kufizim të lëvizjes, Drejtoria e Inspeksionit ka shqiptuar mbrëmë gjobë të vetme dhe atë për infermieren në Vushtrri e cila është takuar nga policia në qytet, e njëjta ishte e infektuar me COVID-19”, ka thënë Ajeti.

Në lidhje me këtë rast, detaje ka dhënë Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ku ka bërë të ditur se infermierja është takuar rreth orës 19:40, në rrugën “Ismail Qemajli”, në Vushtrri.

Sipas policisë, njësiti policor gjatë patrullimit ka vërejtur të dyshuarën e infektuar me COVID-19.

Në konsultim me prokurorinë ndaj të dyshuarës është iniciuar procedurë penale dhe e njëjta do të intervistohet kur të kalojë periudha kohore e përcaktuar nga IKSHPK.

Drejtori i Inspeksionit në Vushtrri, Rrahim Ajeti ka bërë të ditur se edhe lokalet edhe qytetarët e tjerë kanë respektuar masat e ndërmarra, por inspektimet nga kjo drejtori do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim.