Infermieri dorëzon kërkesat për rritjen e pagesës për ndërrimin e natës

Infermieri Enlirat Duraku, ka dorëzuar në disa institucione të vendit kërkesat për rritje të pagesës së ndërrimeve të natës për infermier, pagesën e rrezikshmërisë në punë, pagesën e punës gjatë fundjavës dhe atë të orëve shtesë.

Në ditën e 14 të grevës së urisë dhe ditën e 4-të të asaj të etjes, Duraku ka dorëzuar kërkesat tek kryeparlamentari Glauk Konjufca, tek komisioni për shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, në Qeveri, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Financave.

Para mediave ai ka bërë të ditur se do të vazhdojë grevën e tij, deri në përmbushje të kërkesave, pavarësisht pasojave shëndetësore me të cilat mund të përballet.

“Sot edhe fizikisht unë kam dorëzuar kërkesat për rritje të pagesës së ndërrimeve të natës, pagesën e rrezikshmërisë në punë, pagesën për punën gjatë fundjavës dhe orëve shtesë për infermierët. Një orë punë natën për infermierët paguhet 0.65 centë[…]Unë e di që shteti nuk i nënshtrohet një individi, unë nuk kërkoj nënshtrim, po kërkoj vetëm të vlerësohet puna, mundi dhe sakrifica duke e ditur që në mesin e infermierëve kemi edhe që gjatë pandemisë kanë humbur jetën duke u dhënë shërbim qytetarëve”, ka thënë ai.

I pyetur nëse është i vetëm në grevën e urisë dhe atë të etjes, ai ka theksuar se ndonëse i ka ftuar kolegët e tij që t’i bashkohen, këta të fundit nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesës.

“Infermierët tjerë në grevë nuk janë bashkuar. I kam ftuar në këtë grevë[…]profesioni i mjekut është profesion human. Ne nuk mundemi me ia leju vetes me e ndëshku qytetarin për shkak të pasivitetit të klasës politike ose personave përgjegjës[…]Grevën nuk do ta ndali deri në realizim të kërkesave edhe po të ketë pasoja fatale personalisht për mua fizikisht”, ka theksuar ai.

Tutje ai ka ftuar edhe njëherë kolegët e tij që t’i bashkohen në grevë, pa lënë anash punën e tyre humane prej infermieri./21Media