Infermierët ua dorëzojnë peticionin krerëve të shtetit, kërkojnë vazhdimin e kontratave të punës

Peticioni me 128 nënshkrime u është dorëzuar sot nga infermierët krerëve të shtetit.

Infermierët po protestojnë duke kërkuar vazhdimin e kontratave të punës.

Përfaqësuesja e infermierëve, Arlinda Mustafa, tha se fillimisht peticioni i është dorëzuar presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës. 

Mustafa tha se përveç ShSKUK-së të gjitha institucionet e tjera shtetërore e kanë protokolluar peticionin e tyre. Ajo sqaron se dje është dorëzuar peticioni në ShSKUK dhe sekretari ka kërkuar që të mos dorëzohet përsëri pasi do ta protokollojnë pëticionin që është dorëzuar dje. 

“Është dorëzu edhe në ShSKUK por sekretari ka thënë i kemi dokumentet që i keni lënë dje dhe se do të protokollohen”, tha Mustafa për KALLXO.com.

Ajo thotë se për të enjten në ora 9:00 janë duke planifikuar të protestojnë përsëri përballë Ministrisë së Shëndetësisë, për të njëjtën arsye – vazhdimin e kontratave të punës. 

Infermierët në kohë të pandemisë kishin nënshkruar kontratën e punës, fillimisht për tre muaj, pastaj për pesë muaj mirëpo tani afati i kontratave ka përfunduar për rreth 360 infermierë. 

KALLXO.com ka raportuar edhe me parë në lidhje më këtë protestë.

Vazhdon protesta e infermierëve, nesër do të dorëzohet peticioni tek krerët e lartë të shtetit

Rreth 360 infermierë protestuan para infektivës, kërkojnë vazhdimin e kontratave të punës