Infermierët gjatë një proteste në Prishtinë.

Infermierët të pakënaqur me shtesat që do t'i marrin nga Qeveria

Infermierët janë shprehur të pakënaqur me pagesën shtesë të cilën do ta marrin nga Qeveria e Kosovës deri në fund të vitit 2020.

Sindikata e Infermierëve përmes një publikimi në Facebook kanë thënë se kjo shtesë është ofenduese për komunitetin e infermierëve.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të rishqyrtojnë urgjentisht marrëveshjen me akterët e involvuar pasi kjo marrëveshje është ofenduese për komunitetin infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor e cila tregon vlerësim joreal të punës së infermierit në periudhën në të cilën po kalon vendi ynë”, thuhet në reagim.

Po ashtu, sindikata ka thënë se është diskriminuese dhe mosvlerësuese kjo shtesë duke e ditur punën që e bën infermieri.

“Duke mos dashur që të nënvlerësojmë punën e mjekut i cili në bazë të marrëveshjes përfiton 250€ në muaj, 150€ për infermierin duke e ditur punën, angazhimin dhe sakrificën e infermierit në raport me pacientin, kujdesin kontinual 24h për pacientin, dhënien e shërbimeve në çdo kohë, ne si Sindikatë e konsiderojmë diskriminuese si dhe mosvlerësim të profesionit, punës dhe angazhimit të infermierit”, vazhdon reagimi.

Në fund Sindikata e Infermierëve të Kosovës ka deklaruar se pas një takimi  me kryesinë e Sindikatës do dal me njoftimin mbi veprimet sindikale që do ndërmarrim në shenjë pakënaqësie ndaj kësaj marrëveshje diskriminuese.

Kryeministri i Republikës së Kosovë, Avdullah Hoti, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe përfaqësuesit e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës (FSSHK), sot kanë arritur marrëveshje  për pagesat shtesë për të punësuarit në institucionet publike shëndetësore të Republikës së Kosovës, në sistemin primar, sekondar dhe terciar, deri në fund të vitit 2020, bazuar në ligjin AntiCovid.

Sipas kësaj marrëveshje, mjekët do të marrin 250 euro në muaj, infermierët – 150 euro në muaj, stafi mbështetës – 100 euro në muaj.

Këto pagesa do të jenë prej muajit shtator e deri në muajin dhjetor të këtij viti.

Në komunikatën e kryeministrisë thuhet që Kryeministri Hoti është zotuar se Qeveria në afat shumë të shkurtër kohor do të kryej edhe pagesat shtesë për stafin mbështesë, për muajit korrik dhe gusht të këtij viti.

Federata Sindikale e Shëndetësisë dhe Qeveria arrijnë marrëveshje për pagesat shtesë për punëtorët shëndetësorë