Infermierët gjatë një proteste në Prishtinë.

Infermierët: Rritje të pagave ose protestë (VIDEO)

Sindikata e Infermierëve, mamive dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë të Kosovës kanë protestuar të mërkurën në shenjë pakënaqësie për pagesat e tyre.

Kryesindikalisti Fitim Havolli ka thënë në këtë protestë se infermierët nuk janë tërhequr asnjëherë nga puna e tyre përkundër rrezikut që kanë pasur prandaj kanë radhitur një varg kërkesash për qeverinë.

“Kemi ekspertë, ekonomistë dhe juristë me të cilët e kemi kalkuluar që është e përballueshme dhe ata nuk kanë çfarë të presin më, të mos bëhen protesta siç i kemi lajmëruar përmes kryesisë, të përshkallëzohet sepse do të jetë tepër vonë dhe ne nuk dëshirojmë që të pësoj pacienti”, tha Havolli.

Në këtë protestë, Havolli ka treguar se cila është kërkesa e tyre kryesore për qeverinë.

“Kërkesat tona janë koeficienti 3.2 sa më shpejtë në tavolinë për të kthyer dinjitetin e këtyre njerëzve dhe të mos ju japim mundësin që të largohen nga vendi sepse për Kosovën do të jetë vonë”, tha Havolli.

Sindikata e Infermierëve në rast të mosplotësimit të kërkesave të tyre ka paralajmëruar përshkallëzim të protestave deri në grevë.

“Ne si kryesi duke marrë parasysh organizimin e madh do të ulemi dhe të bisedojmë por nuk do të hyjmë në protesta dhe greva sa për të dal në televizion por do të jenë protesta të përshkallëzuara deri në grevë dhe kemi paralajmëruar se kur futemi në grevë përfundon dialogu social sepse tani e kanë mundësin për të realizuar kërkesat tona”, tha Havolli.

Ndërsa Nexhmije Sogojeva, mami në Klinikën e Gjinekologjisë, tha se dikush nuk po i vë veshin shëndetit të popullit dhe personelit shëndetësor.

“Kërkesat tona janë mosrealizimi i ligjit të pagave, diskriminimi total i komuniteti si mami, un i falënderoj sindikatat që kanë luftuar për të drejtat tona por dikush nuk po i vë veshin as punës as shëndetit të popullit as shëndetit të personelit”, ka thënë Sugojeva.

Sogojeva ka folur edhe për sfidat e infermierëve dhe mungesën e materialeve në vendin e tyre të punës.

“Ne vazhdimisht kemi pasur pakënaqësi dhe kërkesa për plotësimin e kushteve të punës… jemi ballafaquar edhe me mungesë të maskave. Për materiale të tjera të mos flas”, ka thënë Sogojeva.