Infermierët në protestë i kthejnë shpinën Qeverisë: Qeveria ta kthejë kokën nga ne (VIDEO)

Infermierët përmes një proteste simbolike sot kanë dorëzuar 18 mantille të punës para Qeverisë së Kosovës, në shenjë pakënaqësie për mosrealizimin e kërkesave të tyre për rritjen e mëditjes.

Fitim Havolli, kryetari i Sindikatës së Infermierëve, ka ftuar 18 anëtarë të kabinetit qeveritar që të mbajnë kujdestari te të infektuarit me COVID-19 për 18 minuta.

18 minutëshi, 18 mantille të dorëzuara dhe 18 anëtarë të kabintetit qeveritar është simbolikë e pagës së ndërrimit të natës për infermierë.

Sindikata e Infermierëve, mamive dhe profesionistët tjerë shëndetësorë kanë kërkuar nga Qeveria që mëditja e tyre nga 18 euro të ngritet në 36 euro.

“Përmes kësaj proteste simbolike, duke ia kthyer shpinën Qeverisë që ta kthejnë kokën nga shëndetësia njëherë, nga ky komunitet që është përballur e virusin pa e kursyer jetën, veten dhe familjen” tha krysindikalist Havolli.

Ai tha se duke marrur parasysh që secila qeveri në botë e ka prioritet pandeminë dhe se ky komunitet duhet të trajtohet  me prioritet sepse po qëndron në vijën e parë të frontit.

“Këta që janë mrapa meje janë heronj por që paguhen 18 euro në një ndërrim të natës e kërkesa jonë ka qenë që nga 18 euro të ëhet 36 euro dhe se nuk kemi kërkuar rritje të pagave.  Vetëm në dy javët e fundit 800 persona nga stafi shëndetësor janë të infektuar dhe ne nuk dijmë si t’i motivojmë ata” tha tutje Havolli.