Infermierët e punësuar gjatë pandemisë përsëri kërkojnë vazhdimin e kontratave

Një grup i infermierëve që ishin të punësuar gjatë kohës së pandemisë kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, që t’ua vazhdojnë kontratat e punës, në mënyrë që ata ta japin ende kontributin e tyre në shëndetësi, në kohën kur po rriten rastet me COVID-19 në vend.

Përmes një letre me shkrim drejtuar Kurtit dhe Vitisë ata kanë thënë se si staf kanë qenë të punësuar duke u bazuar në nenin 21 të ligjit 07L/006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

“Gjatë periudhës së pandemisë COVID-19 kur u ftuam të angazhohemi, përkundër sfidave dhe rrezikut me të cilat përballeshim do dita, ne ishim të gatshëm dhe ju përgjigjem pozitivisht kësaj thirrje duke kryer detyrat dhe përgjegjësitë tona me nivel të lartë të profesionalizmit. Gjithë këtë angazhim e bëmë me dëshirën më të madhe, dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë ta bëjmë prapë …”, thuhet në letrën e tyre.

Tutje, ata kanë theksuar se pasi numri i rasteve me COVID-19 po rritet, kanë kërkuar nga kryeministri dhe Vitia që t’i angazhojnë ata si infermierë, disa laborantë dhe stafin mbështetës.

“ I nderuar Kryeministër, i nderuar Ministër siç e dini edhe ju QKUK-ja dhe Spitalet Regjionale po përballen me një mungesë të jashtëzakonshme të stafit, dhe numri i te infektuarve po rritet çdo ditë, duke u bazuar në këto mungesa dhe në dëshirën, vullnetin dhe gatishmërinë tonë që ne të kontribuojmë në vendin tonë”, thuhet më tej.

“Ju lusim shumë të rishikoni edhe njëherë vendimin tuaj, dhe na mundësoni të punojmë prapë sepse ne jemi të gatshëm që prapë të kontribuojmë për vendin tone. Shumica nga ne kemi punuar për një periudhe një vjeçare, jemi të përgatitur dhe e njohim punën që duhet bërë”, thuhet në letrën e infermierëve.

Tutje ata thonë se shpresojnë të hasin në mirëkuptimin e tyre dhe të rishikojnë vendimet e të mundësojnë punësimin e tyre përsëri.

Kjo nuk është hera e parë që infermierë e angazhuar gjatë pandemisë kanë kërkuar që të punësohen nga Ministria e Shëndetësisë.

Ata në muajin qershor kanë protestuar para Klinikës Infektive për vazhdimin e kontratave të punës, por se kurrë nuk kanë pranuar ndonjë përgjigje nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Rreth 360 infermierë protestuan para infektivës, kërkojnë vazhdimin e kontratave të punës