Infektologu: Tre nga pacientët me coronavirus janë në gjendje më të rëndë

Infektologu, Salih Ahmeti ka thënë se tre nga pacientët të cilët janë të shtrirë në Klinikën Infektive për shkak të coronavirusit kanë gjendje më të rëndë.

Ahmeti për KALLXO.com ka thënë se kjo është për shkak të moshës së shtyer dhe se të njëjtit kanë edhe sëmundje të tjera.

“Gjendja kryesisht e mirë por për tre pacientët që janë në moshë më të shtyer gjendja është më e rëndë. Sot kemi pranuar dy persona të cilët i kemi nën mbikëqyrje. Nuk dihet ende se për sa mostra mund të presim rezultate pasi që po paraqiten raste të reja me dyshime dhe për këtë është pak e vështirë me dhanë numër të saktë”, tha Ahmeti për KALLXO.com.

Vetëm gjatë ditës së djeshme tre raste janë konfirmuar me coronavirus.

Deri sot që nga 13 marsi, 24 raste janë konfirmuar pozitiv me COVID-19..

Një sërë vendimet janë ndërmarrë nga ana e Qeverisë së Kosovës, për të parandaluar pandeminë. Sipas institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë personat që bien ndesh me vendimet e qeverisë do të ndiqen penalisht.

Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike vazhdimisht ka bërë thirrje që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e pandemisë.