Infektologu pejan shfrytëzon coronavirusin, nis biznes për kontrolle pa regjistrim
Infektologu Halil Komoni, i cili punon në Spitalin e Pejës, është zënë duke punuar ilegalisht në ordinancën e tij private.
Këtë gjë e kanë konstatuar dy ditë më parë inspektorët tatimor nga Prishtina, pas një kontrolli për verifikimin e respektimit të rregullave tatimore.
Kontrollës i kishin paraprirë disa raportime të pacientëve në KALLXO.com, të cilët kishin deklaruar se ndonëse kishin paguar nga 10 euro për kontrolle nuk kishin marrë kuponë fiskal.
Doktori Halil Komoni kishte hapur ordinancën private në afërsi të Spitalit të Pejës, dhe në të po kontrollonte çdo ditë një numër të madh të pacientëve me simptoma të virusit corona.
Ndonëse për një kontrollë kërkoheshin 10 euro, për të njëjtat doktori nuk paguante asnjë cent tatim në shtet.
Gjatë kontrollit në mesin e shumë parregullsive inspektorët kanë gjetur se doktori nuk e kishte fare ordinancën e regjistruar.
Përpos punës pa leje, inspektorët kanë konstatuar se doktori nuk po i regjistronte fare pacientët në librat e kontrollit.
KALLXO.com, ka kontaktuar me doktorin Halil Komoni, mirëpo i njëjti nuk ka pranuar të përgjigjet duke thënë se nuk ka kohë që të prononcohet.
Për parregullsitë e konstatuara doktori Halil Komoni pritet të ndëshkohet nga Administrata Tatimore e Kosovës.
“Nuk kam kohë me u prononcu, ju kërkoj falje”, tha shkurt doktori Halil Komoni.