Infektologu në Pejë punonte me biznes të paregjistruar - VIDEO

Në pjesën e dytë të emisionit të sotëm në “Drejtësia në Kosovë” u shfaqën pamje të kontrollit në një lokal ku një infektolog zhvillonte punën e tij e biznesi i tij nuk ishte i regjistruar.

KALLXO.com fillimisht mori informacionin se një doktor po punonte pa dokumente dhe se po trajtonte të prekurit me COVID-19.

Këto informacione ekipi i KALLXO.com i barti te Administrata Tatimore e Kosovës për të vazhduar me hetimin shtesë.

Dyshimet e para ishin se një infektolog po kryente kontrolla të shumta të qytetarëve që dyshoheshin se ishin prekur me coronavirus, ndërsa kur ekipi i KALLXO.com kishte hyrë brenda ishte vërejtur se doktori nuk lëshonte as kupon fiskal pas pagesës për kontrollim.

Dy inspektorë të Prishtinës, kishin marrë informacionin dhe me një vendim të Zëvendësit të Përgjithshëm të Operacioneve në Administratën Tatimore të Kosovës, ishin nisur drejt vendit ku doktori kryente veprimtarinë në Pejë.

Parregullsitë e para, u vërejtën menjëherë pas fillimit të inspektimit.

Deri sa po bisedonin me djalin e doktorit, inspektorët marrin informacionet se biznesi nuk ka qenë i regjistruar.

“Pacientët që vijnë a i regjistroni”, pyet njëri nga inspektorët tatimor.

“Unë tani kam filluar faktikisht, jemi në finalizim të procedurave”, tregon doktori.

“Pacientët kur vijnë, ku i regjistroni”, vazhdon pyetjet inspektori tatimor.

“Hala, tash ja kam nis me punu, qetash a po kupton”, vazhdon të arsyetohet ai.

“Asnjë libër se ke?”, ishte pyetja e inspektorit drejtuar doktorit.

“Unë po them tash ja kam nis me punu, jam duke i finalizuar”, arsyetohet doktori ndërsa inspektori ia kthen se këto ish dashtë të finalizohen më herët pastaj të fillonte punën.

Doktori tregon edhe se pagesat e pacientëve bëhen me para në dorë ndërsa ai nuk lëshon kupton fiskal nën arsyetimin se nuk e ka kompletuar pajisjen.

Ligji tregon se veprimtari të tilla shëndetësore duhet të zhvillohen nga bizneset e regjistruara.

“Pa u regjistru biznesi nuk bën me punu. Duhesh edhe licencën e punës edhe çka është më me rëndësi librin e pacientëve. Krahas saj librat, regjistrimet, arka fiskale, pagesa e deklarimit të qeras dhe me i lajmëru punëtorët”, i tregon inspektori doktorit.

“Pas ankesës së qytetarëve, ishim në vizitë te një ambulantë specialistike në Pejë dhe vizituam biznesin. Gjatë vizitës konstatuam se ky biznes nuk ishte i regjistruar dhe nuk mbante as libra as regjistrime. Nga tatimpaguesi kemi kërkuar që veprimtaria e tij mos të zhvillohet deri sa ta regjistroj biznesin. U dakorduam me të që për çdo masë të cilat do të ndërmerren do të njoftohet me kohë”, tregoi inspektori Mentor Zhuja.