Infektologu Izet Sadiku, tregon ndikimin e plazmës kovaleshente te pacientët me COVID-19 (VIDEO)

U.D i drejtorit në Klinikën për sëmundje infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Izet Sadiku, në një intervistë për KALLXO.com ka treguar se edhe nëse nuk ka efekte pozitive dhënia e plazmës te pacientët e infektuar me COVID-19 nuk paraqet dëm te pacienti.

“Në botë ka nga ata që e përkrahin këtë dhe ka nga ata që thonë se ndikimi është i vogël, mirëpo ne e dimë se efektet anësore janë të njëjta me plazmën e zakonshme, andaj konsiderojmë se dhënia e kësaj plazme së paku nuk i bënë dëme, edhe pse te ne ende nuk është bërë një hulumtim për të parë efektin që ka plazma”, tregoi ai.

Aplikimi i plazmës kovaleshente në Kosovë ka filluar në muajin janar 2021.

Përmes plazmës pacientët me COVID-19 përfitojnë antitrupa të cilët u ndihmojnë në luftimin e virusit në trup.

Edhe pse ende nuk ekziston një terapi konkrete për trajtimin e infeksionit SARS-CoV-2, shumë vende të botës kanë përdorur barin antiviral “Remdesivir”, ky bari është duke u përdorur edhe në Kosovë, madje edhe kur tashmë e disa muaj Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar të mos përdoret ky ilaç.

Sadiku tha se është duke vazhduar përdorimi i “Remdesivirit” mirëpo pacientët janë duke u furnizuar individualisht pasi që institucionet shëndetësore nuk janë të furnizuara me këtë bari.

Kujtojmë se KALLXO.com pati hulutmuar në lidhje me shitjen e këtij bari, nëpër barnatoret private në Prishtinë nja ampullë “Remdesivirë” ishte në shitje për 180 deri 200 euro, ndërsa pas raportimit çmimi ra në 50 euro.