Infektologu flet për gjendjen e rëndë të pacientes nga Peja

Infektologu Salih Ahmeti në një bisedë për KALLXO.com, ka bërë të ditur se gjendja shëndetësore e 73 vjeçares nga fshati Llugaxhi e Pejës e prekur nga coronavirusi është e rëndë.

Ahmeti tregoi se nga 43 pacientë të shtrirë në Klinikën Infektive, 7 prej tyre janë në gjendje të rëndë.

“Ne sot i kemi 43 pacientë të shtirë në Klinikën Infektive. Prej tyre 7 raste janë në gjendje të rëndë, që kanë qenë edhe më parë, por me përmirësime stabile dhe jo të mëdha por që nuk kanë përkeqësime të mëtutjeshme. Çdo mospërkeqësim do të thotë në një mënyrë se gjendja është stabile dhe një ecuri e mirë drejt shërimit. Një paciente e kemi në gjendje shumë të rëndë, por po bëjmë gjithçka çka është e mundur”, tha ai.

Ndërkaq për foshnjën 5 muajshe nga fshati Topanicë e Komunës së Kamenicës, Ahmeti njoftoi se ajo bashkë me nënën e saj janë në gjendje të mirë.

“Foshnja bashkë me nënën e saj janë në gjendje shumë të mirë. Në fakt e kemi edhe një fëmijë 5 vjeçar, është që 4 ditë këtu, edhe ai është gjendje të mirë”, tha infektologu Ahmeti.

Numri të prekurve me coronavirus në Kosovë ka shkuar në 126, prej tyre 10 të shëruar dhe një i vdekur.

73 vjeçarja është rasti i parë i konfirmuar me COVID19 në Pejë, përkatësisht në fshatin Llugaxhi.

Në anën tjetër, KALLXO.com ditë më parë raportoi se një rast i kontaktit me të infektuaren me COVID-19 nga fshati Llugaxhi i Pejës dhe një tjetër i ndarë nga ky, kanë rezultuar negativ.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori komunal i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci.

Ai ka deklaruar se njëri prej dy rasteve që ka rezultuar negativ është vjehrri i vajzës të së infektuarës, ndërsa rasti tjetër i ndarë nga i pari, është nga fshati Siqevë i Klinës.