Infektologu Ahmeti tregon gjendjen e pesë të prekurve me coronavirus

Në një intervistë për KALLXO.com, infektologu Salih Ahmeti ka treguar se gjendja e pesë të prekurve me virusin corona është stabile duke përjashtuar 77 vjeçarin, i cili sipas tij e ka gjendjen më të rënduar për shkak edhe të sëmundjeve të tjera.

“Tashmë ne të spitalizuar i kemi me coronavirus 5 pacientë, katër prej të cilëve janë në moshë më të re dhe janë në gjendje shëndetësore stabile. Një pacient që është në moshë më të shtyrë është në gjendje më të rënduar për shkak të sëmundjeve shoqëruese paraprake por gjendja e tij është stabile, nuk ka përkeqësimeve. Ai e ka sot ditën e 7 (77 vjeçari)  të fillimit të sëmundjes, ne po bëjmë gjithë atë që po mundemi dhe po shpresojmë që gjendja e tij të shkojë mirë. Java e dytë është ma kritike meqenëse komplikimet e mundshme me virusin corona ndodhet në këtë fazë por aktualisht gjendja e tyre është shumë stabile”, tha infektologu Ahmeti.

Ai shtoi se me pacientin i cili ka ardhur më 5 mars nga Italia në Viti, ka pasur komunikim të lirshëm ndërsa i njëjti është duke u trajtuar edhe me oksigjen shtesë.

Tutje doktori Ahmeti sqaroi edhe se përveç 77 vjeçarit, i cili është në ditën e shtatë të infektimit, edhe katër të tjerët janë thuajse ngjashëm.

“Rasti i parë është në ditën e 7 ndërsa rastet e tjera janë në ditën e 5-6-7”, tha Ahmeti për KALLXO.com.

Vetëm tre ditët e fundit mbi 200 analiza janë bërë për personat të cilët kanë dyshuar se janë të prekur me virusin corona.

Nga të gjitha këto analiza pesë nga ta kanë dalë pozitiv të infektuar me virusin corona.