Ilustrim

Infektohet me COVID-19 një i burgosur në Burgun e Pejës

Tash e pesë ditë një i burgosur në Burgun e Pejës është i infektuar me coronavorusin. Për këtë ai është vendosur në karantinë, në burg.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com Shërbimi Korrektues i Kosovës.

“Me 24.06.2020, QP Pejë, pas marrjes së rezultateve të testimit për Covid-19, nje i burgosuri ka rezultuar pozitiv”, ka thënë SHKK për KALLXO.com.

Në përgjigjet e SHKK-së thuhet se i njëjti ka qenë së bashku me tre të burgosur në një qeli, ku më pas u janë bërë testimet edhe atyre.

“I burgosuri ka qenë i vendosur në dhomë edhe me tre të burgosur tjerë, mirëpo pas marrjes së rezultateve, të tjerët kanë rezultuar negativë. I burgosuri i konfirmuar pozitiv është izoluar në një dhomë të vetme dhe është në mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore”, ka thënë SHKK për KALLXO.com.

KALLXO.com merr vesh se i burgosuri në Burgun e Pejës dyshohet se është infektuar pas kontaktit me një nga gardianët e burgut.

Siç thonë burimet e KALLXO.com deri më tani në Burgun e Pejës është i infektuar një gardian.

Deri më tani vetëm dy raste aktive sipas SHKK-së janë aktive me coronavirus.

Në Kosovë aktualisht janë 2 mijë e 799 persona të  regjistruar me COVID-19.