Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Teatri Kombëtar ndërpret dhënien e shfaqjeve shkaku i COVID-19

Teatri Kombëtar i Kosovës ka anuluar shfaqjen e dramës “Rikthimi i Karl May”.

Kjo shfaqje ishte planifikuar të jepej mbrëmë.

Anulimi është bërë për shkak se njëri prej aktorëve të shfaqjes ka dalë pozitiv me COVID-19.

Naser Shatrolli, ushtrues i detyrës së drejtorit të TKK-së, ka konfirmuar shkaqet  e anulimit të shfaqjes.

Ai ka thënë se për shkak të COVID-19, përveç shfaqjes “Rikthimi i Karl May”, janë  anuluar edhe disa shfaqje të planifikuara për ditët në vazhdim.

“Shkaqet janë të njohura. Një nga aktorët ka dalë me COVID-19 andaj jemi detyruar që të ndërpresim shfaqjen. Sikundër që janë anuluar dhe disa shfaqje tjera për ditët në vijim”, ka thënë Shatrolli për KALLXO.com.

Ai ka thënë se nuk do të ketë një orar të ri për shfaqjet deri sa të mos ketë një vendim nga institucionet lidhur me situatën e krijuar nga coronavirusi.

“Ndërkohë, nuk kemi marrë një vendim të ri për orarin e shfaqjeve, derisa nuk kemi ndonjë vendim nga institucionet përkatëse. Këtë javë do të fillojmë së punuari shfaqje të reja. Jemi optimistë që do të mund të menaxhojmë rrjedhën e punës”, ka thënë Shatrolli.

Teatri Kombetar
Teatri Kombetar.
FOTO- Denis Sllovinja