Foto: Denis Sllovinja (3)
Industria gjermane mohon se mungesa e letrës mund t'i shtyjë zgjedhjet
Shefat e industrisë së letrës në Gjermani i kanë hedhur poshtë pretendimet e Komisionit qendror të zgjedhjeve se mungesa e letrës mund të ndikojë në kohën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ka raportuar të hënën (11.11.2024) gazeta britanike “The Guardian”.
“Kemi letër”, ka bërë të ditur shefi i shoqatës tregtare të industrisë gjermane të letrës, Alexander von Reibnitz, për transmetuesin publik, ZDF, duke shtuar: “Industria gjermane e letrës është shumë produktive… ne mund t’i dalim zot çdo porosie që bëhet në kohën e duhur”.
Shefja e Komisionit kombëtar të zgjedhjeve, Ruth Brand, rroku ballinat në fundjavë me deklaratat e saj për rrezikun e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme pa i kryer përgatitjet me kohë. Në mesin e shqetësimeve ishin edhe ato se mund të përkonin me kohën e festave të Krishtlindjes, ose Pashkëve, si dhe me periudhën e karnavaleve të famshme, kur ditët e festivaleve të rrugëve dominojnë kalendarin në Gjermaninë perëndimore në veçanti.
Diskutimet për zgjedhje nisën javën e kaluar kur kancelari Olaf Scholz shkarkoi ministrin e Financave pas një përplasjeje të gjatë për mbushjen e boshllëkut në buxhetin kombëtar. Ka plane për një mocion votëbesimi në Bundestag, ku qeveria me gjasë do të humbë, duke trasuar rrugën për zgjedhje të reja që mund të mbahen ndërmjet janarit dhe mesit të prillit.
Rënia e Qeverisë ndodhi në kohën kur Berlini ishte zgjuar me lajmin se Donald Trumpi kishte fituar zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Brand ka paralajmëruar për “rreziqet e paparashikueshme në të gjitha nivelet, sidomos në nivelin lokal”, nëse zgjedhjet do të mbaheshin pa paralajmërim. Ajo u ka bërë thirrje vendimmarrësve që të kenë parasysh festat e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, për shkak se njerëzit nuk do t’ia vinin veshin deklarimeve të politikanëve në kohë festash. Ajo foli gjithashtu edhe për mundësinë që “mund të mos ketë mjaftueshëm letër në dispozicion për t’i shtypur të gjitha dokumentet” kaq shpejt, sidomos fletëvotimet për më shumë se 60 milionë gjermanë me të drejtë vote.
Deklarimet e saj shkaktuan reagime në mbarë Europën, me Poloninë fqinje që shprehu gatishmëri ndihme për Berlinin.
“Nëse Gjermanisë i duhen printerë dhe letër, do të jemi në gjendje t’ua shesim fqinjëve tanë, dhe kompanitë polake do të ishin të lumtura të përfitonin prej kësaj, dhe të fuqizonin GDP-në e vendit”, ka deklaruar Dariusz Jonski, eurodeputet nga Koalicioni i qendrës së majtë i Qytetarëve.
Partia opozitare, Ligj dhe Drejtësi, i bëri thirrje kryeministrit Donald Tusk, “që t’u ofrojë ndihmë miqve të tij gjermanë”.
Gjermania është prodhues lider i letrës në BE, duke prodhuar pothuajse 13 milionë metër kub më 2022. Polonia është e shtatë, me prodhim vjetor prej 3.5 milionë metrash kub.
Autoritet ende skuqen prej asaj çfarë i ndodhi Berlinit në zgjedhjet e shtatorit 2021, kur nuk kishte fletëvotime të mjaftueshme për votuesit pasi ishin dërguar në qendra të gabuara votimi. Zgjedhjet u desh të përsëriten për herë të parë në historinë gjermane. Organizatorët ia lanë fajin Maratonës së Berlinit, që po zhvillohej në të njëjtën fundjavë, një situatë për të cilët autoritetet u zotuan se kurrë nuk do të përsëritet.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com