“India duhet të rishikojë qëndrimin e saj ndaj Kosovës”
India duhet të rishikojë qëndrimin e saj ndaj Kosovës- shtet ky që ende nuk e ka njohur Pavarësinë e shpallur më 17 shkurt 2008.
Kjo ishte njëra nga lutjet që u adresua në një forum që mblodhi një grup gazetarësh, hulumtuesish dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Azia e Jugut së bashku me kolegë të tyre nga Kosova si dhe me zyrtarë të lartë kosovarë.
“India duhet të rishikojë qëndrimin e saj ndaj Kosovës. India nuk e njeh Kosovën, bashkëpunimi ekonomik tregon që ne mund të ndërtojmë marrëdhënie më të mira” – tha ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla-Schwarz në Forumin “Dialogu i Prishtinës: Ballkani dhe Azia e Jugut”, të organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike.
Njëra nga çështjet më me interes për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës që u shtrua në tavolinë, ndër të tjera ishte që Kosovës i duhet njohja nga India.
Manjari Singh, profesoreshë në Universitetin Amity për Studime Ndërkombëtare në Indi, tha se qëndrimi i Indisë ndaj Kosovës ka të bëj me interesat kombëtar dhe ekonomike të saj.
“Është ironike që India nuk e njeh Kosovën, përderisa dyjat janë shtete demokratike. Demokracitë janë paqësore” – tha ajo.
Singh deklaroi se Kosova duhet “t’i ofrojë Indisë diçka”, duke pasur fjalën për zhvillim më të madh tregtar dhe pozitë më të ngritur në aspektim gjeopolitik.
Në anën tjetër, Gërvalla përmendi rrugën e Kosovës për shpalljen e Pavarësisë duke treguar që Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet që të njihet nga shtetet e botës.
“Marrëveshjet bilaterale të mira dhe bashkëpunimi i mirë është përmirësuar nga viti në vit”- tha ajo për marrëdhëniet me disa vende të Azisë Jugore.
Sunil KC, President i Odës së Tregtisë dhe Industrisë Nepal – Indi dhe themelues i Institutit Aziatik të Diplomacisë dhe Çështjeve Ndërkombëtare, tha që ideja e tij për të organizuar këtë forum ishte që të shtohet bashkëpunimi mes dy palëve.
“Kam menduar pse mos të organizojmë një ngjarje që mbush zbrazëtirat në ekonomi dhe diplomaci mes Azisë Jugore dhe Kosovës”- tha ai gjatë fjalës së tij.
Guner Ureya, ish- ambasador në Daka, tashmë drejtor në Departamentin për Diplomaci Publike në MPJD, tha se ndërveprimi mes shqiptarëve dhe Azisë Jugore është shumë i hershëm dhe duhet të përforcohet edhe më shumë.
“India nuk e njeh zyrtarisht Kosovën, por as nuk e mohon shtetësinë e Kosovës. Ne kemi marrëdhënie tregtie me ta. Na duhet shumë njohja e tyre”- tha Ureya.
Kosova, sipas tij, ka përmbushur të gjitha kriteret për ta njohur secili shtet, përfshirë Indinë.
Gëzim Visoka, profesor i asociuar në Universitetin e Dublinit, tha se Kosova t’i vë njohjet në qendër të politikës së saj, apo t’i kthej në prioritet.
“Kosova duhet të gjej një rrugë që të sigurojë njohje nga shtetet si India”- tha Visoka, duke shtuar se me shtetet që Kosova ka marrëdhënie duhet t’i mirëmbajë e t’i thellojë edhe më tej ato.
Të njëjtin delegacion nga Azia Jugore e priti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Qeveri më 22 nëntor 2024.
Kurti iu përgjigj pyetjeve të ndryshme nga pjesëmarrësit, teksa bashkë diskutuan edhe rreth mundësive të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave të vendeve të tyre dhe të Kosovës në fushën e bujqësisë, edukimit, energjisë dhe infrastrukturës.
Në fillim të këtij viti, Kallxo.com kishte raportuar se edhe pse shumë larg me kilometra, punëtorët aziatikë, posaçërisht qytetarë nga Bangladeshi e Nepali ia kishin mësyer me të madhe Kosovës për të punuar në sektorin privat.
Viteve të fundit nën arsyetimin se ka mungesë të fuqisë punëtore në sektorin privat ka nisur ky trend i punësimit të qytetarëve nga Azia Jugore.
Deri më 20 janar 2024, MPJD kishte bërë të ditur për Kallxo.com se ishin 1,900 bengalë që kanë ardhur në Kosovë për të punuar.
Bangladeshi njohu Kosovën në vitin 2017.
Në një intervistë për Kallxo.com, në fund të vitit të kaluar, shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla, kishte thënë se është duke punuar për njohje të reja, por se nuk mund t’ua imponojë vullnetin e saj shteteve të tjera.
Njohjen e fundit, Kosova e mori nga Izraeli në shkurt të vitit 2021.