Pamje nga incidenti me trena në Indi. Foto: REL

Indi: Mbi 230 persona të vdekur si pasojë e përplasjes së tre trenave

Të paktën 238 persona kanë vdekur dhe mbi 650 të tjerë janë plagosur, si pasojë e përplasjes së tre trenave në rajonin Odisha të Indisë, kanë thënë zyrtarët.

Një tren pasagjerësh e ka devijuar binarin dhe ka rënë në binarin e linjës tjetër, në pasditen e së premtes.

Afër ka qenë edhe një tren i palëvizshëm mallrash.

Numri i të vdekurve pritet të rritet, pasi shumë persona kanë mbetur nën rrënoja.

“Forca me të cilën janë përplasur trenat, ka rezultuar me shumë pjesë të trenave të shtypura krejtësisht. Ne jemi duke tentuar të depërtojmë nën rrënoja për të arritur te pasagjerët. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të mos lënduar ata që janë gjallë”, ka thënë Atul Karwal, shef i Forcës për Përgjigje ndaj Katastrofave Natyrore.

Më shumë se 200 ambulanca, qindra mjekë dhe personel tjetër mjekësor, janë parë në skenën e incidentit.

Ministri për Hekurudha, Ashwini Vaishnaw është parë, po ashtu, në atë zonë, derisa kryeministri indian, Narendra Modi, pritet t’i vizitojë të plagosurit në spital, më vonë gjatë ditës.

India e ka një prej rrjeteve më të mëdha hekurudhore në botë, dhe miliona pasagjerë e përdorin atë në baza ditore.

Megjithatë, një pjesë e mirë e linjave kanë nevojë për riparime.

India e ka regjistruar incidentin më të rëndë me trena më 1981, kur një tren i stërngarkuar pasagjerësh ka dalë nga binarët dhe ka rënë në një lumë – në periudhë cikloni në rajonin Bihar – duke lënë të vdekur të paktën 800 njerëz./REL