INDEP prezantoi gjetjet për zbatimin e 10 masave për Rimëkëmbje Ekonomike

 

Instituti Për Politika Zhvillimore (INDEP), sot në një konferencë për media ka bërë prezantimin e tretë dhe përmbyllës të ciklit të monitorimit të pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike dhe ligjit për rimëkëmbje.

Dardan Abazi nga INDEP, ka thënë se ky punim ka synuar të jetë një pasqyrë e të gjitha masave që janë paraparë në ligjin për rimëkëmbje ekonomike.

“Ne synojmë që të nxjerrim mësime nga ligji për rimëkëmbje ekonomike, mësime të cilat shpresojmë që do t’ju shërbejnë kësaj qeverie në dizajnimin e pakove të tjera në të ardhmen të cilat duhet të jenë edhe më mirë të përgatitura dhe më mirë të zbatuara se sa kjo e ligjit për rimëkëmbje ekonomike”, ka thënë Abazi.

Tutje koordinatorja e projektit në INDEP, Kaltrina Rexha ka bërë prezantimin e 10 masave të cilat kanë ndikuar në rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

“Ligji për rimëkëmbjen ekonomike ka përfshirë 10 masa, të cilat prej tyre pritet që ekonomia e vendit të ketë një rimëkëmbje ekonomike por jo gjitha këto masa kanë ndikuar në rimëkëmbjen ekonomike”, ka thënë Rexha.

INDEP po ashtu në uebfaqen e tyre kanë publikuar buletinin me temë “Bilanci i Rimëkëmbjes – 10 masa për 8 muaj”, në të cilin janë paraqitur të dhënat rreth shkallës së zbatimit të dhjetë masave të përcaktuar përmes Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

– Masa e parë  “Për plotësim dhe ndryshim të Ligjit për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore” është zbatuar 70%, ende në zbatim 20% dhe nuk është zbatuar 10% e kësaj mase.

– Masa e dytë Zbatimi i TRUST-it apo edhe “Plotësimi dhe Ndryshimi i Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës”, është zbatuar 80% dhe nuk është zbatuar 20% e kësaj mase.

– Masa e tretë ulja e TVSH-së apo edhe “Plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, është zbatuar 54%, ende në zbatim 23% dhe nuk është zbatuar 23% e kësaj mase.

– Masa e katërt “Plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat”, është zbatuar 3%, është ende në zbatim 48% dhe nuk është zbatuar 49% e kësaj mase.

– Masa e pestë “Plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit”, është zbatuar 18%, është ende në zbatim 18% dhe nuk është zbatuar 64% e kësaj mase.

– Masa e gjashtë “Përkrahja e ndërmarrjeve private”, është zbatuar 17%, është ende në zbatim 25% dhe nuk është zbatuar 58% e kësaj mase.

– Masa shtatë “ Pagat e punëtorëve në sektorin privat”, është zbatuar 100% e kësaj mase.

– Masa e tetë “Përparësitë për prodhuesit e produkteve dhe shërbimeve vendore përgjatë pandemisë COVID-19”, është zbatuar 5%, është ende në zbatim 48% dhe nuk është zbatuar 47% e kësaj mase.

– Masa e nëntë renta minatorë apo “Plotësimi dhe Ndryshimi i Ligjit për Minierat dhe Mineralet” është zbatuar 100% e kësaj mase.

– Masa e dhjetë subvencionimi i Burimeve të Ripërtrishme të Energjisë Elektrike, është zbatuar 43%, është ende në zbatim 28% dhe nuk është zbatuar 29% e kësaj mase.