Foto: KALLXO.com Ilustrim

Incidenti në Uglarë, Policia arreston 3 të dyshuar të mitur

Policia ka njoftuar se sot në orët e pasdites nga njësiti i hetimeve të përgjithshme të rajonit të Prishtinës janë arrestuar tre të dyshuar lidhur me rastin – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, që ka ndodhur më 16 maj rreth orës 22:30, në rrugën “Knjaz Millosh”, në fshatin Uglarë të Fushë Kosovës.

“Identifikimi i të dyshuarve si dhe lokalizimi i vendndodhjes së tyre ka ardhur si rezultat i një pune të shkëlqyer hetimore nga ana e policisë të cilët me një ekspertizë të thellë trajtuan të gjitha informacionet dhe evidencat e gjetura”- thuhet në njoftim.

Të dyshuarit e arrestuar janë tre djem 17-vjeçarë: D.H., D.J., dhe A.G.

Tutje Policia sqaron se arrestimi i të dyshuarve është përcjellë edhe me gjetjen dhe sekuestrimin e një revole me gaz, e cila dyshohet të jetë arma e përdorur në rast.

“Ndërkohë që policia ka kryer arrestimin, me aktvendim mbi ndalimin e personit të arrestuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit të dyshuarit i ka dërguar në mbajtje prej 24 orësh, përderisa ka iniciuar një hetim në drejtim të veprave penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës”- thuhet në njoftim.

Ky rast ishte denoncuar nga Lista Serbe.

Policia kishte bërë të ditur të shtënat ishin të një arme me gaz dhe kishin ardhur nga një automjet në lëvizje dhe nuk kanë pasur për cak ndonjë individ apo objekt të caktuar.