Incidenti në “Trepçë”, Kurti: Si kryeministër zotohem se nuk do të ketë asnjë individ as grup më të fuqishëm se shteti

Shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti ka dënuar incidentin e së hënës në Ndërmarrjen Publike “Trepça”. Ai tha se nuk do të lejohet “të ketë asnjë individ as grup më të fuqishëm se shteti”.

Të hënën në zyrat e administratës në “Trepçë” ish-ushtruesi e detyrës së kryeshefit, Rafet Ibishi së bashku me një grup punëtorësh të ndërmarrjes, hynë në mënyrë demonstrative ku dyshohet se sulmuan u.d. kryeshefin Enis Abdurrahmani dhe drejtorin e Administratës, Besim Haxhiu.

Në lidhje me rastin, kryeministri Kurti shprehi keqardhje.

“Na vjen shumë keq se çfarë ka ndodhur, pra një sulm i organizuar mbi udhëheqjen, por me këtë rast e dënojmë ashpër këtë sulm të tillë i cili është i drejtuar kundër Trepçës dhe nuk është për të mirën e Kosovës. Si kryeministër i Kosovës zotohem se nuk do të ketë asnjë individ as grup më të fuqishëm se shteti”, deklaroi të mërkurën gjatë vizitës në “Trepçë”.

“Ata të cilët, individ ose grupe, synojnë apo dëshirojnë që të jenë më të fuqishëm se shteti, bien ndesh me ligjin dhe kushtetutën te ne”, tha shefi i Qeverisë së Kosovës.

Ai ka komentuar edhe një kërkesë të këshillit grevist.

“Nuk ju ka mjaftuar që e kanë sulmuar drejtorin, por një ndër kërkesat e këshillit grevist është që këta tani të tërheqin deklaratën që e kanë pësuar dhunën, kjo është e pashembullt dhe nuk do të ndodh. Ata që e kanë deponuar deklaratën në polici, nuk do ta bëjnë tërheqjen”, tha ai.

Mbrëmë, KallxoPernime solli detaje ekskluzive për incidentin në “Trepçë”.

Audio-incizimi zbardh prapaskenat e incidentit në “Trepçë”

www.kallxo.com