Incidenti në "Trepçë", 7 persona largohen përkohësisht nga puna

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të “Trepçës”, Enis Abdurrahmani sot ka larguar nga puna shtatë punëtorë të kësaj ndërmarrjeje.

Në vendim, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, Abdurrahmani tha se ata dyshohet se kanë bërë shkelje të rëndë të detyrave.

Te larguarit përkohësisht janë ish-kryeshefi, Rafet Ibishi, Zenel Ibishi, Rrahman Latifi, Shefki Rama, Bajram Sadiku, Bajram Istrefi dhe Burim Hajdari.

“Largohen përkohësisht nga puna për shkak se me datën 18.10.2021 kanë bërë shkelje të rënd të detyrave të punës nga neni 10 paragrafi 1 nën paragraf 1.8, 1.16, 1.44 dhe 1.52 i rregullores për përgjegjësisë disiplinore dhe materiale të punëtorëve të Trepçës Sh. A, ku  më datë 18.10.2021 rreth orës 10:00 në zyrën time të Krye shefit Ekzekutiv të Trepcës jam sulmuar fizikisht nga ana e tyre. Pastaj punëtorët Zenel Ibishi, Shefki Rama, Bajram Sadiku, Bajram Istrefi dhe Burim Hajdari gjatë daljes në korridor e kanë sulmuar fizikisht edhe drejtorin e administratës z. Besim Haxhiu”, thuhet në vendim.

KALLXO.com ka raportuar se disa persona janë parë paraditen e sotme në objektin e “Trepçës” duke hyrë në mënyrë demonstrative.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit, Enis Abdurrahmani dhe drejtori i Administratës në “Trepçë”, Besim Haxhiu, janë sulmuar fizikisht nga një grup i njerëzve.

Tre persona janë arrestuar pas sulmit që ka ndodhur ndaj ushtruesit të detyrës së kryeshefit, Enis Abdurrahmanit dhe drejtorit të Administratës në “Trepçë”, Besim Haxhiut.

 

Incidenti në ‘Trepçë’, Abdurrahmani: Policia reagoi shpejt e na shpëtoi nga eliminimi