Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani Foto: Denis Sllovinja /KALLXO.com
Incidenti me presidenten Osmani në Shkup, kallëzim penal dhe suspendohet përkohësisht nga puna nënpunësi policor i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut
Autoritetet në Maqedoni të Veriut kanë ngritur kallëzim penal dhe kanë larguar nga puna policin S.S., shef i Departamentit të Sigurisë Personale pranë kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut në lidhje me rastin e incidentit në Aeroportin e Shkupit, ku ishte përfshirë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut.
“I denoncuari S.S. është dërguar në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit nga ana e Kryetarit të Kuvendit me qëllim të tejkalimit të mosmarrëveshjes e cila ka ndodhur me Presidenten e Republikës së Kosovës në lidhje me procedurat e sigurimit për kontrollimin e bagazhit dhe pajisjeve elektronike gjatë fluturimit në linjë komerciale”- shkruan ne reagim.
Më pas, sipas Ministrisë, së bashku me dy nëpunës policorë të tjerë të Departamentit për Siguri të Personave, i dyshuari S.S. hyri në VIP sallonin dhe duke u futur në dhomat ku nuk kishte autorizim për lëvizje dhe qëndrim, punonjësit e pranishëm të TAV-Shkup, policë të kufirit nga policia kufitare dhe të Departamentit për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve të Caktuara, ai filloi të kërcënonte për jetën e tyre, duke kërkuar që të shoqëronte presidenten me automjet deri në avion.
Në këtë reagim shkruan se në përputhje me kompetencat dhe autorizimet do të parashtrohet propozim për fillimin e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore ndaj nëpunësit policor S.S. dhe do të shqiptojë masa të detyrueshme për largim nga vendi i punës – pezullim deri në përfundimin e procedurës disiplinore, kurse ndaj nëpunësve policorë S.R. dhe N.B. do të parashtrojë propozim për fillimin e procedurës për shkelje të urdhërit të punës dhe disiplinës për shkak të ekzekutimit të urdhërit të kundërligjshëm, kryerjes së pakujdesshme të detyrave të punës dhe dëmtimin e reputacionit të Policisë.
Në njoftimin e Ministrisë shkruan se kallëzimi penal është ngritur nga Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së, Prokurorisë Publike Themelore kompetente për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – Departamenti i Specializuar për ndjekjen e krimeve të kryera nga persona me autorizim policor dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve.
Arsyetimi i institucionit përkatës për kallëzimin penal të ngritur ndaj S. S. është se ka dyshime se ka kryer veprën penale të “rrezikimit të sigurisë” nga neni 144 i Kodit Penal dhe veprës penale “pengim të zyrtarit në kryerjen e detyrave zyrtare” sipas nenit 382 të Kodit Penal.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do të ketë një raport zyrtar nga autoritetet maqedonase në lidhje me incidentin ndaj presidentes Vjosa Osmani pak ditë më parë në Aeroportin e Shkupit.
I pyetur në lidhje me këtë çështje nga gazetarët gjatë konferencës për media që po mbante bashkë me homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoski, më 05.08.2024, Kurti deklaroi se duhet të synohet e vërteta e kësaj çështjeje dhe kurrsesi tensionimi.
“Pa dyshim që ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e presidentes, aq më tepër që ka qenë me familje, me dy vajzat e vogla. Autoritetet e Maqedonisë së Veriut, krerët shtetërorë këtu kanë shprehur keqardhjen e tyre dhe do të ketë raport zyrtar që do të zbardhë këtë çështje në tërësi dhe hollësi, edhe që të kuptojmë se çka ka ndodhur dhe të mos na përsëriten” – tha Kurti.
Mickoski u pyet se a do të kërkojë përgjegjësi nga kryeparlamentari Afrim Gashi për dërgimin e sigurimit të tij në Aeroportin e Shkupit. Kryeministri maqedonas tha se do të hetohet edhe kjo çështje.
“Ka institucione kompetente që do ta ndriçojnë rastin në dy pjesë. Pjesa e parë ka të bëjë deri në momentin kur nuk vjen personi që e theksuat (sigurimi i Gashit) dhe pjesa e dytë pasi që vjen personi që ju e theksuat. Nëse institucionet konstatojnë tejkalim apo kryerje të veprës penale atëherë ju sigurojë që personi do të nxirret para drejtësisë. Askush nuk do të jetë mbi ligjin në këtë vend” – tha Mickoski.
Më 01.08.2024, gjatë kontrollit kufitar në Aeroportin e Shkupit, presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani, i ndodhi një rast i pazakontë që përfundoi me një incident mes palës kosovare dhe asaj maqedonase.
Rrëfimi i stafit të afërt të presidentes thotë se sigurimi i Aeroportit ka tentuar të shtyjë fizikisht presidenten Vjosa Osmani. Përveç kësaj, stafi thotë se duke mos i respektuar rregullat ndërkombëtare për marrëdhënie diplomatike, ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes Osmani dhe çantën personale të dorës. Më pas për të hapur rrugën kishte reaguar Policia.
“Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë” – tha Egnesa Vitia për KALLXO.com, duke shtuar se ishte tentuar t’i merrej telefoni në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.
Edhe pse specifikisht në Konventën e Vjenës të viit 1961 nuk përmendet telefoni, por për çantën diplomatike shkruan se ka imunitet diplomatik nga kontrolli për sa kohë është e shënuar nga jashtë për të treguar statusin e saj, sipas nenit 27.
Sipas këtij neni, çanta diplomatike mund të përmbajë vetëm dokumente diplomatike ose artikuj të destinuar për përdorim zyrtar.
Se a kishte dërguar Ambasada e Kosovës në Shkup notë verbale paraprakisht siç është praktika për udhëtime të krerëve për vizita jashtë vendit, nga Presidenca thanë po, ndërsa Ministria e Jashtme nuk është përgjigjur në këtë pyetje të KALLXO.com që iu dërgua më 01.08.2024.
Ndryshe nga autoritetet kosovare, pala maqedonase fajin ja ka hedh atyre kosovare.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka deklaruar që brenda Aeroportit, presidentes Osmani vetëm i është kërkuar telefoni në mënyrë që të skanohet, por më pas një person nga sigurimi i presidentes është larguar nga punonjësja e TAV-së (kompania që menaxhon aeroportin), me qëllim që Osmani të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore.
“Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri”- shkruan në reagimin e Ministrisë.
Ky institucion thotë se situata nuk përfundoi këtu, pasiqë pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, (polic) me dy persona të tjerë (policë) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes.
Sipas Ministrisë, në të njëjtën kohë polici ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare dhe është njoftuar Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale dhe po merren masa për zbardhjen e rastit në koordinim me PTHP për QKK-në, pas së cilës do të dorëzohen parashtresat përkatëse.
Kompania TAV thotë se ka respektuar rregullat, gjegjësisht që Ministria e Punëve të Brendshme ka udhëzuar që delegacioni t’i nënshtrohet kontrollit standard në aeroport.
Nga kompania kanë hedhur poshtë kategorikisht akuzat se punonjësi i saj nga departamenti i sigurisë ka tentuar të marrë telefonin e presidentes, pasi që në bazë të Dokumentit 30 të ECAC (Doc.30) dhe Programit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil, të gjithë pasagjerët, bagazhet e kabinës dhe sendet e tyre personale që udhëtojnë në një fluturim komercial, si në këtë rast, i nënshtrohen kontrollit të sigurisë.
Krejt çka dihet për incidentin e presidentes Osmani në Aeroportin e Shkupit