Deklarimi i presidentes Vjosa Osmani për Samitin e Tretë për Demokraci, Foto: Presidenca
Incidenti me presidenten e Kosovës në Aeroportin e Shkupit, reagon MPB e Maqedonisë së Veriut
Për një incident që ka ndodhur sot në Aeroportin e Shkupit, ku është përfshirë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut.
Në këtë reagim është thënë se presidentes Osmani i është kërkuar telefoni në mënyrë që të skanohet.
Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha se në Aeroport erdhën edhe disa policë të tjerë, njëri nga ta sigurim i kryetarit të Kuvendit, e që më pas të njëjtët kërcënuan punëtorët aty.
Për rastin u deklaruan edhe nga Presidenca e Kosovës.
Sipas Presidencës në Aeroportin e Shkupit ka pasur edhe tentim shtyrje ndaj presidentes Osmani.
Reagimi i plotë i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut:
Sot (01.08.2024) rreth orës 10:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, teksa presidentja e Kosovës po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur asaj iu kërkua që telefonin e saj të kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj është larguar nga punonjësja e TAV-së, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore. Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri. Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi (polic) me dy persona të tjerë (policë) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes. Në të njëjtën kohë ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare. Menjëherë është njoftuar Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale dhe po merren masa për zbardhjen e rastit në koordinim me PTHP për QKK-në, pas së cilës do të dorëzohen parashtresat përkatëse.