Incidenti me armë tek Badovci, Prokuroria thotë se nuk ka motive etnike

Dy qytetarë kanë mbetur të plagosur nga një gjuajte me armë që ka ndodhur më 1 maj të këtij viti në Mramor të Prishtinës, tek Badovci, ku i përfshirë ka qenë edhe një polic.

Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Prishtinë në disa përgjigje për KALLXO.com ka treguar se në bazë të dyshimeve fillestare rasti nuk ndërlidhet me motive etnike.

“Në bazë të dyshimeve fillestare nuk ndërlidhet ky incident me motive etnike, mirëpo rasti vazhdon të hetohet deri në ndriçimin e plotë të rrethanave”, ka thënë për KALLXO.com zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Laureta Ulaj.

Ajo ka treguar se në koordinim me Policinë e Kosovës dhe me Inspektoratin Policor të Kosovës janë duke ndërmarrë veprime hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti.

Sipas Ulajt, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë iniciuar hetime në drejtim të veprave penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Në një njoftimi të IPK-së thuhet se këto raste penale janë hapur ndaj dy qytetarëve të plagosur.

IPK po ashtu kishte njoftuar se polici, Sh. E., që ka qenë i përfshirë në rast në këtë fazë të hetimit mbetet në cilësinë e dëshmitarit.

Sipas IPK-së, polici derisa kishte qenë në piknik me shoqërinë e tij, ishte përfshirë në një shkëmbim zjarri me armë me dy qytetarë të armatosur.

“Zyrtari policor gjatë këtij shkëmbimi të zjarrit me armën zyrtare ka plagosur dy persona të cilët dyshohet se kanë sulmuar zyrtarin policor dhe shoqëruesit e tij që gjendeshin me të në piknik”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Asdren Hoxha, avokati i njërit nga të plagosurve në incident.

Sipas Hoxhës, mënyra se si është duke u trajtuar rasti i klientit të tij është e padrejtë.

Ai po ashtu kishte thënë për KALLXO.com se për policin e përfshirë në rast është thënë se ka vepruar në vetëmbrojtje.

Një informatë të tillë Hoxha ka thënë se e ka parë në portale pasi sipas tij ende nuk kanë marr ndonjë informatë zyrtare.

Sipas Hoxhës, veprimet e policit nuk duhet të cilësohen si vetëmbrojtje. Sepse, siç thotë ai, polici ka gjuajtur 11 herë me armë dhe i ka goditur dy të plagosurit mbrapa.

“Me 11 plumba nuk veprohet në vetëmbrojtje, e as nuk gjuhet njeriu mbrapa. E dim na juristat se çka është në vetëmbrojtje kur manifestohet dhe kur nuk manifestohet”, kishte thënë Hoxha për KALLXO.com.

Tutje Hoxha kishte treguar se polici nuk ka qenë në detyrë, por në një festë private duke e festuar 1 majin.

Madje, sipas tij, polici dhe personat e tjerë prezent kanë qenë në gjendje të alkoolizuar.

“Polici që nuk ka qenë në detyrë, por ka qenë në një ndejë private ku kanë festu për 1 maj edhe ku kanë pi dhe kanë qëndru aty ka gjuajtur 11 herë me plumba të armës zyrtare në drejtim të këtyre djemve ku i ka plagosur të dytë”, ishte shprehur ai duke thënë se është e rëndësishme të dihet se klienti i tij dhe personi tjetër janë plagosur pas shpinës.

Versioni i Hoxhajt se si u përfshi polici në plagosjen tek Badoci