Obiliqi - Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

Incident në Obiliq, IQO akuzon LVV-në për sulm ndaj aktivistëve të saj

Dy persona kanë mbetur të lënduar në një incident që ka ndodhur dje rreth orës 17:30 në Obiliq.

Sipas Policisë, dy persona janë sulmuar fizikisht nga disa persona.

Njëri prej të sulmuarve ka pësuar lëndime të rënda trupore. Pas trajtimit në QKMF në Obiliq viktimat janë dërguar në QKUK.

Policia thotë se të dyshuarit për sulmin janë identifikuar porse ende nuk janë kapur, ndonëse janë kërkuar në shtëpitë e tyre nga njësitë policore.

Lidhur me sulmin ka reaguar Iniciativa Qytetare për Obiliqin, e cila po pretendon se të sulmuarit janë aktivistë të saj e sulmuesit aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Iniciativa Qytetare për Obiliq, dënon ashpër sulmet fizike të oponentëve të LVV-së, ndaj aktivisteve të IQO-së, raste këto të njohura për organet e drejtësisë̈”, thuhet në reagimin e IQO-së.

Mirëpo, një gjë e tillë është mohuar nga kandidati për kryetar të Obiliqit nga radhët e LVV-së, Halil Thaçi.

“Është një shpifje. Këta [Iniciativa Qytetare] bëjnë shpifje të tilla, është një shpifje asgjë më shumë”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Iniciativa Qytetare për Obiliqin dhe Lëvizja Vetëvendosje janë në garë për kryetar të Komunës në zgjedhjet që po mbahen sot.