Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Incident në një fshat të Malishevës, pati edhe të shtëna me kallashnikov

Tre persona janë dërguar në ndalim për 48 orë në lidhje me një incident i cili ka ndodhur në fshatin Carrallukë të Malishevës.

Në këtë incident ka pasur edhe të shtëna me armë ndërsa një person ka marrë edhe lëndime trupore.

Lajmin e ka konfimruar për KALLXO.com, Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj.

“Në ora 15:30 min. Stacioni Policor në Malishevë përmes telefonit është informuar për një rast të ndodhur në fshatin Carrallukë. Ankuesi pohon se dy persona kanë ardhur në vendin e tyre të punës, të armatosur me armë zjarri (kallashnikov), kanë shkrepur disa here në ajër dhe me pas me të njëjtit persona kanë pasur përleshje fizike”, tha Xhurkaj.

Sipas tij, menjëherë janë aktivizuar të gjitha njësitë policore në nivel stacioni, ne vend të ngjarjes është gjetur ankuesi, ndërsa në parkingun e autostradës në dy automjete janë gjetë edhe dy personat nga pala tjetër të cilët ishin të gjakosur dhe me lëndime trupore.

“Menjëherë është informuar ndihma e shpejtë nga shtëpia e shëndetit të cilët kanë dalë në vend në ngjarjes dhe dy të lënduarit i kanë shoqëruar për në QKUK në Prishtinë për trajtim mjekësor. Në vend të ngjarjes, incidentit, është sekuestruar një armë e gjatë automatike Zastava se bashku me një karikator me pesë fishek në të. Gjithashtu janë gjetur edhe 9 copë gëzhoja fisheku dhe një predhë”, tha tutje Xhurkaj.

Në stacion për intervistim janë shoqëruar  për momentin tre persona si të dyshuar , janë intervistuar dhe me urdhër të prokurorit janë ndalur për 48 orë.